Pamje: Payet goditet në kokë nga tifozët, ndërpritet ndeshja Lyon – Marseille (Video)

Ndeshja derbi e Ligue 1 në Francë mes Lyonit dhe Marseilles është ndërprerë, për shkak se tifozët e goditën në kokë sulmuesin e Marseille Dimitry Payet.

Gjyqtari i urdhëroi lojtarët të kthehen në zhveshtore pasi Payet u godit me shishe të ujit në kokë kur po tentonte ta rivinte topin në lojë nga këndi, raporton Gazeta Express.

Ndeshja u ndërpre në minutën e 7-të në stadiumin ” Parc Olympique Lyonnais”.

Xherdan Shaqiri ishte në fushë si titullar për skuadrën e Lyonit.

Lyon – Marseille është ndër derbit më të zjarrtë në futbollin francez dhe rivalitetin mes këtyre dy klubeve e dëshmuan edhe tifozët në tribuna.

Lyoni dhe Marseille nuk po kalojnë në formën më të mirë këtë sezon në ligë, pasi kanë ngelur shumë mbrapa liderit PSG.

Marseille i ka vetëm dy fitore në pesë ndeshjet e fundit dhe renditet në vendin e pestë me 23 pikë, 14 më pak se PSG-ja dhe katër më shumë se Lyoni.

Lyoni i Shaqirit është i 10-ti me 19 pikë nga 13 ndeshje. /Gazeta Express/