Edhe para pandemisë COVID-19 ekonomia botërore po ndryshonte nga proteksionizmi, dëshira për zinxhirë më të shkurtër furnizimi dhe më shumë qëndrueshmëri.
Sipas ekonomistëve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, pandemia mund ta përshpejtojë këtë prirje.

Prodhimi ndërkombëtar i mallrave kishte ndryshuar tashmë që para krizës së COVID-19 për shkak të përdorimit në rritje të robotëve dhe dixhitalizimit, por ky zhvillim tani ka të ngjarë të përshpejtohet. Kështu thuhet në raportin e ri të investimeve botërore të Konferencës së OKB për Tregtinë dhe Zhvillimin (UNCTAD).

Frikë nga rënia e investimeve të drejtpërdrejta

Investimet e huaja të drejtpërdrejtë (IHD), që janë veçanërisht të rëndësishme për vendet në zhvillim, ka të ngjarë të bien këtë vit me 40 për qind, dhe sipas analizës së UNCTAD, tendenca nuk tregon një kthim në normat e mëparshme të rritjes. Vitin e kaluar IHD-ja ishte 1.54 miliard dollarë. Kjo ishte një rritje prej tre përqindësh, pas rënies ekonomike në vitet në 2017 dhe 2018. Sidoqoftë prej kësaj përfitojnë sidomos vendet e industrializuara, kurse investimet në vendet në zhvillim sipas UNCTAD-it do të bien.

Ekonomistët kanë frikë nga një rënie e mëtejshme në përgjithësi për vitin e ardhshëm, nga pesë deri në dhjetë përqind përpara se një rikuperim të vijë në 2022.

Këtë vit IHD pritet të zbresë nën një trilion dollarë, shifra më e ulët që nga viti 2005. Perspektiva e një recesioni të thellë do t‘i detyrojë shumë ndërmarrje ndërkombëtare të rishikojnë investimet e planifikuara, veçanërisht jashtë.

Rajonalizimi i prodhimit

Ekonomia botërore po përballet me trazira të mëdha. Edhe pas krizës financiare të vitit 2007/2008 investimet ndërkufitare nuk u rritën më ndjeshëm. Tregtia botërore ka mbetur e ngadaltë dhe zinxhirët e vlerës botërore madje kanë rënë. Debati i qëndrueshmërisë ka nxitur prirjen drejt një prodhimi më rajonal. Kësaj i shtohet proteksionizmi në shumë rajone të botës që është duke u rritur.

UNCTAD pret më shumë shitje të bizneseve dhe më shumë ulje të prodhimit. Vendet dhe rajonet duan zinxhirë furnizimesh që janë më pak të prirur për t’u goditur nga krizat. Kriza e COVID-19 po i përshpejton këto prirje.

“Ndryshimet e mëdha në prodhimin ndërkombëtar do të kenë një ndikim të madh në vendet në zhvillim gjatë dhjetë viteve të ardhshme”, tha sekretari i përgjithshëm i UNCTAD, Mukhisa Kituyi.

Organizata sheh mundësi për tërheqjen e investimeve për të gjetur zgjidhje tërheqëse për shërbimet dhe ekonomi të qëndrueshme dhe miqësore me mjedisin. /Deutsche Welle/