Pandemia ka ndikuar në rritjen e mortalitetit në Maqedoni

Pandemia me Kovid 19 ka ndikuar në rritjen e vdekshmërisë në vend. Sipas Entit Shtetëror për Statistika numri i vdekjeve prej janarit deri në shtator në vitin 2020 ka qenë 15 mijë e 584, në krahasim me vitin 2019 paraqet 0.9% rritje të vdekshmërisë, që do të thotë rreth 1400 persona kanë vdekur më shumë se vitin e kaluar.

“Në tre tremujorët në vitin 2020, numri i vdekjeve është 15 mijë e 584, krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin 2019, ka një rritje prej 0.9%. Numri i vdekjeve në tremujorin e tretë të vitit 2020 është 5 mijë e 419. Ndërsa në të njëjtin tremujor në vitin 2019 është 4 mijë e 700”, theksoi Jovan Sapunxhioski – Udhëheqës i Sektorit për Statisitika Sociale të ESHS.

Reklame

Sipas statistikave të Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2020, si pasojë e Kovid 19 kanë ndërruar jetë 2,510 persona. Numri më i madh i vdekjeve ka qenë në tremujorin e fundit të këtij viti. Nga fillimi i tetorit deri në fund të vitit, gjithsej vdiqën 1764 persona. Por në nëntor ka pasur më shumë vdekje gjithsej 769.

Në mars kanë ndërruar jetë 7 persona, në prill 70, maj 56, qershor 169, korrik 184, gusht 117, shtator 136, tetor 255, nëntor 769, dhe dhjetor 740.

Gjatë vitit 2020 sipas numrit të të infektuarve kishte tre valë më të forta, një në nëntor, dhe dy ishin në qershor dhe prill. Ndryshe ditëve të fundit dukshëm është ulur numri i të infektuarve. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë gjatë ditës së djeshme 12 të infektuar kanë humbur betejën me virusin Korona, shumica prej tyre nga Shkupi.