Paqe me Ramën/ Pse është tulatur Ilir Meta?

Nëse në të gjithë botën është ngritur alarmi se në kohë gjendjesh së jashtëzakonshme autokratët bëhen më të rrezikshëm, Ilir Meta ka vendosur ta shfrytëzojë këtë periudhë për paqe. Mes tij dhe kryeministrit tonet janë shndërruar si në kohët kur nuk ishin armiq, por vëllezër. Këtë e ka konfirmuar edhe vetë Edi Rama, i cili në një lidhje direkte me News 24, u shpreh se Meta ka mbajtur një pozicion shumë për t’u respektuar dhe ka qenë shumë konstruktiv.

“Pozicioni i presidentit në këtë situatë nuk le asgjë për të dëshiruar, ka qenë në rolin e tij dhe me një përmasë përgjegjshmërie qe është për t’u respektuar plotësisht. Mos të merremi se çfarë iku, por me çfarë kemi sot, e të shohim çfarë vjen. Presidenti, që ishte bërë më para njësh me opozitën, tani është bërë njësh me popullin. Po bën gjënë e duhur dhe respekt për këtë që po bën. Unë nuk e kam problem asnjë herë të them atë që mendoj”, tha Rama.

Dhe në fakt vëzhgimi i kryeministrit është i drejtë. Presidenti i ka bërë të gjithë lëshimet e mundshme. Ai organizoi mbledhjen e parë të Këshillit të Sigurisë, ashtu sikurse ia kërkoi Rama, përmes videokonferencës. Sa herë ka dalë në publik ai ka folur as më pak dhe as më shumë me gjuhën e një ministri të kabintetit qeveritar. Ai nuk ka pranuar të pohojë se ka problem me testimin sipas porosive të OBSH-së, ai nuk ka artikuluar asnjë kritikë për mangësitë dhe mungesën fillestare të pajisjeve për personelin mjeksor. Meta duket sikur po zbaton slloganin “në kohë lufte i harrojmë konfiketet tona të vogla”. Dhe më këtë parrullë ka arritur deri aty sa të botojë në rrjetet sociale edhe fotot e pritjes së ndihmave nga Gent Cakaj, duke harruar se atë s’ka pranuar ende ta dekretojë si ministër të jashtëm.

Por fakti që bën më tepër përshtypje, është se presidenti ka bërë të heshtë edhe bashkëshorten e tij, kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhin. Për të gjetur sulmet plot nerv, pathos dhe me kënd goditës 180 gradë të “doktoreshës” duhet të kërkosh në arkivat e një muaji e ca më parë. Kjo lloj sjelljeje dhe ky transformim brutal, i ka dhënë fund edhe formalisht pandehmave se LSI nuk është një parti familjaro- presidenciale.

Por nëse zbutja e toneve të Metës me Ramën është evidente, mister mbeten ende arsyet e kësaj kthese të papritur.

E para mund të ketë lidhje me një operacion rregullimi imazhi. I akuzuar shpesh se sulmet ndaj qeverisë po i bën për të rritur pushtetin e vet personal në këtë krizë, Meta mund të dojë të të duket ashtu sikurse e përshkroi së fundi Rama, si i bërë “njësh me popullin”. Pra se qëllimet e tij nuk janë personale por në emër të një interesi më të gjërë.

E dyta mund të ketë të bëjë me rolin politik për primatin e opozitës. Pasi organizoi një tubim impresionues në fillim të marsit, pasi demostroi mbështetje dhe forcë duke sfiduar hapur paqen që Basha i krijoi Ramës para Konferencës së Donatorëve dhe hapjes së negociatave, Meta kërkon t’i dërgojë një mesazh PD, se ai di të bëjë edhe luftën edhe paqen. Prandaj mjerë Basha nëse imagjinon një marrëveshje të re të fshehtë me kryeministrin.

Versioni i tretë, ai më kompromentuesi, është që Meta të ketë bërë vërtet një pakt të fshehtë mosulmimi. Përndryshe, njeriu që përbetohej se nuk do lejonte rikthimin e vendit nën diktaturë, e për të mbrojtur këtë bindje ishte i gatshëm të sakrifikohej si Salvador Aliende, nuk ka si të mos shprehë asnjë shqetësim për drejtimin e shtetit përmes Facebookut. Ai që më parë gjurmonte sekondat dhe minutat e botimit të njoftimeve në fletoren zyrtare, nuk mund të qëndrojë indiferent me faktin se rregullat e gjendjes së jashtëzakonshme zbatohen pas shpalljes fillimisht në ERTV dhe vetëm pastaj hidhen në letër. Ky është në fakt transformimi impresionues i Ilir Metës.