Paqe në Camp Nou, finalisti vendoset në Bernabeu (VIDEO)

44

Ka përfunduar me barazim 1-1 akti i parë i gjysmëfinales së Kupës së Mbretit mes Barcelonës dhe Real Madridit.

Ndeshja prodhoi emocione të mëdha, sidomos në pjesën e parë.

Pikërisht gjysma e parë i dha mysafirëve avantazhin, që shënuan vetëm pas gjashtë minutave me Lucas Vazquez, i cili shfrytëzoi për mrekulli asistimin e Karim Benzema.

Pas golit, ekipi i Valverdes mori lojën në dorë por jo edhe rastet. Në 45 minutat e para, rastet më konkrete sigurisht që i kishte Real Madridi, që rrezikoi me Vinicius, Benzeman e Vazquez. I pari po të mos ishte treguar egoist menjëherë pas shënimit të golit, ‘Galaktikët’ do shkonin në pushim me dy gola epërsi.

Barcelona rrezikoi me Rakitic, që goditi shtyllën me kokë, derisa Suarez bëri një goditje të lehtë.

Pjesa e dytë solli ndryshim të madh. ‘Blaugranët’ sulmonin, Reali me lojë dinake kërkonte shpërthimin.

Minuta e 56′ solli golin e barazimin mes shumë tollovie, kur Malcom me një goditje precize shënoi golin e fundit dhe të vetmin për Barcelonën në këtë ndeshje.

Deri në fund, Barça dominoi takimin, duke e inkuadruar edhe Leo Messin (63′) në lojë, por rezultati nuk ndryshoi deri në fund.

Finalisti do të vendoset në ndeshjen kthyese, e cila zhvillohet më 27 shkurt në Santiago Bernabeu. /Periskopi/