Parlamenti Europian ia bën 8 me 2 Edi Ramës

Advertisment

Të tjera kushte për Shqipërinë dhe negociata praktikisht ende të pahapura. Ky është përfundimi që është arritur me votimin e vonë të mbrëmjes së djeshme në Parlamentin Europian. Me 388 vota pro, 280 vota kundër dhe 19 abstenime, PE miratoi amendamentin e Grupit të Partive Popullore Europiane me tekst: “Parlamenti Europian thekson 15 kushtet e caktuara nga Këshilli i Bashkimit Europian që Shqipëria duhet të ketë përmbushur përpara thirrjes Konferencës Ndërqeveritare të parë me shtetet antare”.

Ky është një akt i paprecedentë për Parlamentin Europian. Ky insititucion nuk ka shtuar kurrë kushte, kur si në rastin e Shqipërisë, vendet anëtare të BE kanë dhënë dritën jeshile për negociatat. Votimi është bërë pranë mesnatës së djeshme. Edhe pse ky amendament është iniciuar nga grupi i Partive Popullore Europiane, çka bie në sy është vota masive e eurosocialistëve për të shtuar kushte. Dyshohet që ky pozicionim i të majtëve ka ardhur si pasojë e shembjes së Teatrit Kombëtar.

Reklame

Kjo votë ndëshkuese lexohet edhe si ndarja përfundimtare e Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë në rrugëtimin europian. Ndërkohë që Maqedonia fqinje pritet të kryejë Konferencën Ndërqeveritare, ky votim e bën praktikisht të pamundur për Shqipërinë të vazhdojë rrugëtimin dhe mbajtjen e kësaj konference, pa zgjidhur 15 kushtet e fundit.

Amendamenti i firmosur nga eurodeputetja Kinga Gàl me kërkesën e raporterit Lega dhe me mbështetjen e koordinatorit Gahler vjen pas mohimit të përsëritur nga kryeministri Rama javën e shkuar të ekzistencës së 15 kushteve. Këto kushte u vendosën nga Këshilli Europian (shtetet anëtare) me propozimin e Gjermanisë, Francës, Hollandës, Danimarkës e Spanjës në mars të këtij viti. Pro amendamentit votuan Grupi Liberal dhe ai Konservator si dhe shumë deputetë nga e majta dhe djathta pavarësisht qendrimit formal të grupeve.

Grupi Social Demokrat formalisht nuk u shpreh pro amendimit me shpjegimin se nuk duhej zbehur jehona festive e samitit të Zagrebit. Por shumë eurodeputetë socialdemokratë të prirë nga danezët dhe finlandezët votuan pro PPE. Një pjesë e nxitur nga eurodeputetët rumunë votuan kundra.

Taulant Balla paraqiti një lutje në kryesinë e partisë Socialiste Europiane për votim kundra në bllok por kjo nuk u mor parasysh.

Gjatë javës së shkuar shumë eurodeputetë por edhe diplomatë europianë reaguan ndaj deklaratave të Ramës duke apeluar publikisht për domosdoshmërinë e përmbushjes së 15 kushteve, sepse ndryshe nuk fillojnë negociatat.

Opozita e quajti të papërgjegjshëm mohimin e 15 kushteve nga Rama; sipas saj kjo retorikë është pengesë kryesore për integrimin europian të vendit mbas përkeqsimit të treguesve të demokracisë e shtetit ligjor. Restaurimi i normalitetit demokratike vjen duke plotësuar 15 kushtet.

Njëri prej kushteve është edhe dënimi i politikanëve që kanë blerë vota në zgjedhjet e Dibrës e Shijakut. Rama i ka marrë ata vazhdimisht në mbrojtje.

Shkresa e Grupit PPE:

[ Dua t’ju informoj se znj. Kinga Gál si raportere hije e PPE e raportit “Rekomandime për Ballkanin Perëndimor” do të dorëzojë amendamentin si më poshtë: ]

“thekson 15 kushtet e caktuara nga Këshilli i Bashkimit Europian që Shqipëria duhet të ketë përmbushur përpara thirrjes Konferencës Ndërqeveritare të parë me shtetet antare”

[ Amendamenti u kërkua nga z. David Lega, raporter i përhershëm për Shqipërinë dhe ka pëlqimin e z. Gahler, koordinator i PPE në Komisionin e Jashtëm (AFET) ]