Partia e Angela Merkel/ Rr ezik disfate në zgjedhjet në dy lande

Gjermanët i janë drejtuar kutive të votimit në dy palë zgjedhje të rëndësishme rajonale, të dielën, me konservatorët e kancelares Angela Merkel që përballen me rrezikun e disfatës pas zemërimit për një seri skandalesh por edhe për problemet me vaksinimin.

Zgjedhjet, për parlamentet e reja rajonale në landet Rhineland-Palatinate dhe Baden-Wuerttemberg konsiderohen si një test para zgjedhjeve të përgjithshme të 26 shtatorit, që do të jenë të parat në më shumë se 15 vite në të cilat Merkel nuk merr pjesë. Sondazhet e kohëve të fundit kanë treguar se mbështetja për aleancën CDU-CSU të Merkelit ka rënë në një nivel të ulët, në rreth 30 për qind, ndërkohë që gjermanët janë të pakënaqur me mënyrën se si është menaxhuar kriza e koronavirusit.

“CDU e Merkel përballet me një katastrofë”, thotë tabloidi Bild, duke e quajtur procesin një “votim për koronavirusin”. CDU e qendrës së djathtë e Merkel, dhe simotra e saj bavareze CSU, janë dëmtuar nga pretendimet për deputetë që me sa duket kanë përfituar nga kontratat për maska mbrojtëse në ditët e para të pandemisë, ç’ka edhe detyroi tre ligjvënës të dorëhiqeshin ditët e fundit. Ai që nuk i ndihmon aspak konservatorët është edhe zemërimi publik në rritje për një fushatë vaksinimi që po zvarritet dhe që është shënjuar nga burokracitë, një fillim i vonuar i testimeve dhe shkalla e lartë e infektimit pavarësisht muajsh kufizime. Gjermanët do të mund të shihnin përtej aferës së maskave, shkruante Der Spiegel. Nëse qytetarët do të ndjenin se qeveria po e bën punën e saj, po i mbron nga virusi dhe po i nxjerr nga kriza. Por nuk është kështu…

Në Rhineland Palatinate, social demokratët e qendrës së majtë ia kanë kaluar CDU në sondazhe, duke hapur rrugën për një tjetër koalicion qeverisës me të gjelbrit dhe FDP-në, pro bizneseve. Në Baden Wuerttemberg, shteti i vetëm gjerman që ka një kryeministër nga partia e gjelbër, ekologjistët e majtë mund të kenë thelluar akoma më shumë kryesimin e CDU-së./Top Channel