Partitë zotohen për zgjedhje fer dhe demokratike në Maqedoni

Përfaqësuesit e 15 partive politike që marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut kanë nënshkruar sot Kodeksin për zgjedhje të drejta dhe demokratike.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë caktuar për më 15 korrik 2020 ndërsa bartësit e listave për deputetë në hapësirat e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) u zotuan se do të respektojnë Kodeksin.

Reklame

Para aktit të nënshkrimit, kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkoski, lexoi pjesë të Kodeksit, duke theksuar se këto zgjedhje organizohen “në kushte tejet të komplikuara” shkaku i pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).

Në kuadër të Kodeksit për zgjedhje të drejta dhe demokratike, nënshkruesit zotohen se do të respektojnë të gjitha ligjet dhe rregullat zgjedhore, sundimin e ligjit, zotohen se nuk do të ushtrojnë presion ndaj nëpunësve shtetërore, ndërsa kësaj radhe, pjesë e zotimit është edhe respektimi i masave mbrojtëse.

“Ne, pjesëmarrësit në procesin zgjedhor, padyshim zotohemi se do të respektojmë masat për mbrojtjen e qytetarëve nga virusi COVID-19 në çdo fazë të procesit zgjedhor. Ne, pjesëmarrësit në procesin zgjedhor, gjithashtu padyshim zotohemi se asnjë punonjës ose qytetar nuk do t’i nënshtrohet ndonjë kërcënimi për punësimin dhe sigurimin shoqëror të tij, si rezultat i mbështetjes ose mos mbështetjes të ndonjë partie politike apo ndonjë kandida”, tha Derkoski.

Përfaqësuesit e partive politike uruan që zgjedhjet të zhvillohen në atmosferë të qetë, të drejtë dhe demokratike, ndërsa disa prej tyre shprehën skepticizëm për daljen e votuesve në zgjedhje për shkak të pandemisë.

Kujtojmë se të martën, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, nënshkroi vendimin për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pasi një ditë më herët liderët e dy partive më të mëdha politike në vend, Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoski, arritën marrëveshje që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen më 15 korrik.

Shkaku i pandemisë së COVID-19, në Maqedoninë e Veriut janë prolonguar zgjedhjet e parakohshme parlamentare të caktuara fillimisht për më 12 prill.