Pas Vitit të Ri, përkrahje e re financiare

Qeveria ka paralajmëruar se në fillim të vitit, të ketë ndihmë të re për qytetarët dhe bizneset për tejkalimin e pasojave të pandemisë. Pritet që pakoja e pestë e masave, përmbajtja e tyre, si dhe koha kur ajo do të shpërndahet, të bëhen më të qarta pas konsultimeve me sindikatat, odat ekonomike dhe të gjithë faktorët e tjerë të rëndësishëm shoqëror. Për ndihmat e reja janë parashikuar edhe mjete në arkën e shtetit për vitin 2021. Pritet që më së shumti të ndihmohen shtresat e qytetarëve, por edhe kompanitë që janë më të goditura nga kriza shëndetësore dhe ekonomike. Deri tani, me masat ekonomike janë mbështetur mbi 30 për qind e kompanive për ruajtjen e vendeve të punës përmes mbështetjes në paga prej 14.500 deri 21.778 denarë. Deri në fund të vitit 2020 janë harxhuar afër 1 miliardë euro në të katër pakot e masave qeveritare anti-krizë.

Një pjesë e sindikatave në vend thonë se edhe vitin e ardhshëm presin të vazhdohet me mbështetjen e mëtejshme për ekonominë dhe punëtorët. “Do të kërkojmë të vazhdohet edhe më tej me mbështetjen për pagat, të vazhdohet me ndihmën për bizneset, si dhe të ndihmohet enkas edhe sektori I gastronomisë si më i godituri nga kriza”, thotë numri një I Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Darko Dimovski. Sipas tij, nevojitet që edhe të hollat e ndihmës të shkojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në llogaritë e punëtorëve dhe jo të punëdhënësve, për çka nevojitet edhe Drejtoria për të Ardhura Publike të përgatitet në aspektin teknik. Edhe një pjesë e analistëve ekonomik thonë se përskaj vazhdimit të ndihmës, nevojitet të mendohet edhe për motorët e ekonomisë që nesër do ta ngrenë dhe rikuperojnë ekonominë vendore.

Reklame

“Vështirë është të shpëtohen të gjithë, mirëpo që tani duhet të mendohet për një ndihmë më të madhe për industrinë dhe eksportin që nesër do të jenë lokomotivat që do të tërheqin para edhe pjesën e mbetur të ekonomisë. Njëherësh, duhet të mendohet edhe për mbështetjen e sektorëve që ishin me dëme më të mëdha si turizmi dhe hoteleria”, thotë eksperti ekonomik Zoran Jovanovski. Sipas tij, mbetet që të mbahet edhe likuiditeti i kompanive ku ka ndihmuar edhe masa për pagesën e kredive. Në ndërkohë, në katër pakot paraprake ekonomike, ndihma ekonomike ishte afër 1 miliard euro. Në tre pakot e para – ndihma arriti në 550 milionë euro, mirëpo në muajt e kaluar kishte kritika se ajo nuk është realizuar dhe paguar deri në fund. Ndersa në pakon e katërt ishin parashikuar masa me vlerë prej 470 milionë euro.

Edhe me pakon e fundit u vazhdua me ndihmën për pagesën e pagës së muajve tetor, nëntor dhe dhjetor që do të kushtojë afër 70 milionë euro dhe do të përfshijë afër 250 mijë punëtorë për tre muaj. Njëherësh pritet që kjo masë të vazhdojë edhe për përkrahjen e mëtejshme për pagat e muajve janar, shkurt dhe mars. Në mesin e muajit dhjetor, Drejtoria e të Ardhurave Publike informoi se për pagesën e pagës së muajit tetor 2020, ishin parashtruar 13.819 kërkesa, ndërsa janë paguar 12.598 punëdhënës me gjithsej 961.613.984 denarë për 61.556 të punësuar. Gjithashtu, sipas të dhënave të DAP-it, 179 punëdhënës që kanë pranuar ndihmën financiare në vlerë prej 5.271.771 denarë për muajin tetor, nuk e kanë realizuar obligimin e tyre për pagesën e pagës për 338 punëtorë.

Krahas subvencionimit të pagës që në tre muajt e fundit të vitit ishte shkallë-shkallë në bazë të rënies së të ardhurave të kompanive, janë ofruar edhe ndihma të tjera për biznesin. Ndër të tjerash, në pakon e ndihmave ishin edhe rritja e periudhës grejs për kreditë pa kamatë, si dhe 100 milionë euro të kredive të tjera të volitshme nga Banka e Zhvillimit të Maqedonisë. Në tre pakot e ndihmës së shtetit – vetëm përmes suportit financiar prej 14.500 denarë – me 79.5 milionë euro janë përkrahur afër 120 mijë të punësuar dhe afër 20 mijë biznese. Ndihmë ndër të tjerash kanë fituar edhe mbi 6000 kryerës së pavarur të veprimtarive. Janë ndihmuar edhe të papunët si dhe rastet sociale, studentët, pensionistët… ndërsa janë shpërndarë edhe vauçerë për qytetarët me të ardhura më të vogla që kanë ndihmuar edhe turizmin vendor. (koha.mk)