Pejsazhet komuniste të rrugëve të Tetovës

Shkruan: Hasan Jashari

Jeta shkruan romane!

Reklame

Cilët rrugë i marrin ndër këmbë udhëtarët në mengjez? Rrugët më të mira dhe më të mbushura janë ata që të dërgojnë në zemër të qytetit. Në Tetovën e viteve 1960-1990 ato ishin rrugët që çonin drejt Pazarit të vjetër ( Tani një zandane e shëmtuar betoni e ndërtuar nga Komunaprojekt). Rrugëve u japin kuptim njerëzit që lanë gjurma me sjelljen, pamjen, punën e tyre dhe raportin social me rrethin shoqëror.

Në hyrje te Pazarit ishte një duqan boze që kënaqte qytetarët dhe fshatarët që vinin për punët e tyre. Bozaxhiu quhej Haxhi Hamdi nga Bozofca. Pritnim në rresht aty dhe boza pihej me fund. Në brendi gjindeshin dy Çajtore, njëra e Nejaziut nga Tearca dhe e dyta e Fuat Mandos. Ata ishin vazhdimisht plot. Po aty kishte një ëmbëtore me emrin Jagoda dhe një gjelltore që e mbante babai i profesorit Hamit Aliu. Aty, si pemëshitës, ishte Sami Karingtoni- Pilari i njohur, si partizan e komunist. bile edhe në vitet e demokracisë me memoaret e tij për ‘takimet’ me Elisie Popovski-Marko, Lazar Kolisevskin, Titon, Dollancin, Enver Hoxhën, Ante Markoviqin etj. Pak më larg ishte Hajdari me gjelltoren e tij ku kthenin njerëzit që bënin pazar ( groshë me mish dhe pa mish, qofte, sarmë, gulash.. e bukë të ngoht e muhabet. Ishte kënaqësi e madhe e djemve të brezit tim kur dilnim nga gjimnazi e kthenim te boza dhe te Hajdari). Te ëmbëtorja Beograd shkoja me shokë të blejmë byrek me porosi për profesorët e Gjimnazit.

Të gjitha këto biznese kishin edhe rolin e tyre kulturor dhe social për takimin e njerëzve. Në atë rreth, poashtu, ishte një vend boemësh i quajtur Shinobus me shqiptarë e maqedon qefli disa të rakisë disa të kafes . Më në zë për jetën e tyre të ëmbël aty ishin Mixha Neim nga katundi Gajre, poeti Mustafa , mësuesi Nexhat etj. Aty, përreth, punonte dhe ishte i dukshëm si figurë shehërliu Xhakarta- këpuctari, Gajuri i Dinamikës, etj Qebap bënte Zendeli. Në rreth ishte edhe gjelltorja Kaj Carot e Skender Goranasit. Elita Maqedonase rrotullohej rreth Restorantit Pastrmka dhe Lovec në qendër të Tetovës. Pranë pazarit ishte kafeteria Nov zhivot ; vend ku bëheshin pazaret e devizave ‘Marka- franga‘. Aty shitej alltani, duhani kallëp, kontrabandë i fshehur nga inspektorët të quajtur kolxhinjt. Rreth pazarit ishin kasapet- Neshat Kasapi, berberi Plava, terzinjt, e më larg lëkuraxhinjt, samarxhinjt, etj. Në Çarshinë e vjetër ishte Çajtorja Kabashi, ku rrinin mësuesit, punëtorët e Teteksit etj. Arabati Baba Teqe, hoteli dhe restoranti ishte vend i elitës politike dhe ekonomike të Teteksit, Jugohromit etj.

Metafora e kujtimeve

Udhëtimet dhe rrugët i kanë përshkruar dhe i kanë shijuar më së miri Marco Polo dhe Evla Çelebiu. Evla ka shkruar Seyahatnamesi e tij per karvanet me kuaj e deve, rrugët e vjetra, kthesat, hanet e buajtjes, sokaqet, urat, pazaret. Aty ka pasë edhe histori dhe ngjarje të ndërlikuara të dashurisë dhe zanatit më të vjetër në botë si që thotë shkrimtari dhe filozofi Ismail Kadare. Më interesante janë përshkrimet e tij për rrugët me baltë, pluhur dhe lavirinte. Kur erdhi Çelebiu në Tetovë e shoqëroj një shtrëngatë që ai e përshkruajti në detaje. Në sy i ra edhe qyteti me shtëpi me lule në dritare e ballkone, kopshte, pemë e pjergull rrushi. Nga përshkrimi i tij sot Tetova nuk ka anjë gjurmë të ngjajshme. Marco Polo ka përjetuar dhe shtrëngata e detit.
Por, sot mjedisi urban është në trysni të industrializimit dhe urbanizimit të egër e mafioz. Tetova e humbi imazhin e shtëpive dhe frymës të Sheherlive aty nga viti 1990- 2000. Tani qyteti rënkon nga shtrëngesa e ndërtimeve shumëkatëshe, pa parkingje, automobila dhe tregëtarëve që zënë hapësirën publike.
Shtëpitë e vjetra, Pazari, Çarshija e Epërme janë zhdukur. Edhe tek ne kujtimi për ata po zbehet. Janë humbur dyert e kapixhiket e vjetër të fqinjësive. Kjo është metafora e kujtimeve do të thoshte Jose Saramago

Multikultura e qytetit

Multikultura e qytetit fillon nga ajo që është e dukshme- rrugët, emërtimi i tyre. Në Tetovë tabelat numrohen në gishta.
Por, ajo që ka mbetë nga komunizmi janë emërtimet e rugëve me emra partizanësh. si psh. Boris Kidriç, Lenin, Mosha Pijade, Petar Petroviç Njegosh , Bihacka etj. Nuk munda të gjejë një listë zyrtare të rrugëve. Dikush thot i kemi ndëruar emrat me vendim kaq e kaq dhe me datë të saktë. Marshall Tito është zëvendësuar me Ilirija , por, letrat e njoftimit jepem me emrin e komunistit me të famshëm në botë. Pra, dikush në Shkup vendos se çfarë emra rruge duhet të kenë banorët e lagjes p.sh. Drenoc
Qyteti multikulturor synon të ndërtojë politikat dhe identitetin e tij mbi pranimin e qartë se diversiteti etnik, religjioz, profesional, moshor është pasuri etj. Shumëllojshmëria dhe respekti për kulturën, gjuhën, etninë e tjetrit mund të jetë një burim i pashtershëm për zhvillimin e shoqërisë.

Por, pyetja që na imponohet është se a krijojmë emrat aktual të rrugëve të Tetovës ndjenjë të besimit dhe respektit të ndërsjellë, para së gjithash , në mes maqedonasve dhe shqiptarëve? Pyetja e dytë është se a e shpreh karakterin multikulturor të qytetit emërtimi aktual i rrugëve? Dikush mund të thotë ja ky profesori, dikush tjetër e quan pak të rëndësishme, dikush tjetër thotë se nuk më intereson se po nisem për Gjermani… Po, kështu i kemi bërë gjërat edhe në komunizëm edhe i bëjmë edhe tani. Kështu e bëjmë dhe nuk i bisedojmë hapur me njëri tjetrin për praktikat më të mira të bashkëjetesës dhe kështu shtiremi se çdo gjë është në rregull dhe pastaj vijmë atje ku jemi në baltën e nacionalizmit dhe urejtjes ndëretnike. Ne themi se çdo gjë shkon mirë se politikanët edhe në komunizëm edhe tani na e thonë atë e ne nuk e zhvillojmë të menduarit kritik.

Hapi i parë është miratimi (dhe zbatimi) i strategjive që lehtësojnë takimet dhe shkëmbimet pozitive ndërkulturore dhe promovojnë pjesëmarrjen e barabartë dhe aktive të banorëve dhe komuniteteve në zhvillimin e qytetit, duke iu përgjigjur kështu nevojave të një popullsie të larmishme. Modeli i politikës së integrimit ndërkulturor bazohet në prova të gjera kërkimore, në një sërë instrumentesh ligjore dhe përvojave të mira të qyteteve ndërkulturore që ndajnë shembujt e tyre të praktikave të mira se si të menaxhohet më mirë diversiteti, të adresohen konfliktet e mundshme dhe të përfitojm nga avantazhi i diversitetit.

Kujdes që të gjithë ta gjejn vendine tyre një qytet

Ne duhet të kemi repsektin tonë për partizanët, për ata të cilët kanë luftuar fashizmin, për personalitete të cilët kanë të bëjnë me historinë, kulturën gjuhën dhe zhvillimin e kombit maqedonas. Por , maqedonasit poashtu duhet që të kenë kujdes dhe të kenë respekt për njerëzit nga Tetova dhe në përgjithësi per historinë, gjuhën, kulturën shqiptare. Sa munda të shoh unë vetëm rrugët; Sami Frashëri, Abdul Frashëri, Kongresi i Manastirit përkojnë me një të kaluar të gjuhës, historisë, letërsisë shqipe. Por, e gjithe kjo, është baras me Boris Kidriç, Lenin , Ivo Ribar Lola, Njegosh apo Bihaçka. Un jam i vetëdijshëm se nuk duhet te preken emrat p.sh Ilindenska, Braka Miladinovci, Kiril dhe Metodij, por duhet zëvendësuar emrat si Lola Ribar, Njegosh, Lenin, Kidriç, Cetinska, etj. Hapësirë ka te rrugët që janë emërtim vetëm me numra si që janë 108, 120. 145…gjithsejt 20 të tilla etj. Badinteri nuk duhet të pengon atë që e don popullata . Pyetja për qytetarët maqedonas të Tetovës do të ishte se a më i afërt është Kidriç, Lenin, Mosha Pijade, Lola, Njegosh apo shkrimtarë si Abdulazis Islami, Murat Isaku, Nexhat Pustina, Mustafa Laçi, Daut Gura, Memetriza Gega, Tajar Tetova etj. apo ndonjë artist, futbollist apo veprimtar shqiptar që ka jetuar në Tetovë, ka pasë shokë, shkolle, pune, komshinj etj.

Rrugët dhe Billal Kasami

Më vjen mirë që prefekti i ri po e nxit një debat të gjërë për emërtimet e rrugëve. Ky debat duhet të jetë i hapur, i lire dhe të përkrah multikulturalizmin dhe të respekton të kaluarën dhe ndjenjat e të gjithëve; maqedonasve, shqiptarëve, turqve, romëve etj.

Vetëm në këte menyrë do ta forcojmë harmoninë sociale dhe konceptin e barazisë do të thoshte Jean Jacques Rousseau. Përndryshe ne vetëm do të flasim për barazinë, që në realitet, nuk ekziston.
Procesi duhet të jetë inkluziv, të përfshihen të gjitha palët e interesuara, por të ketë zgjidhje që nuk do të gjenerojnë më tej krizë apo tensione, por do t’i mundësojnë komunitetit lokal të ecë përpara, zhvillim ekonomik e kulturor
Autori është profesor univerzitar