Përçarjet midis partive shqiptare dhe LSDM dhuratë për VMRO-në në zgjedhjet presidenciale?!

52

Tre partitë shqiptare në pushtet dhe dy në opozitë ndodhen ende larg nga një qëndrim unik lidhur me kandidatin e ardhshëm për zgjedhjet për kryetar të vendit në prill.

Ato ende nuk i kanë filluar konsultimet e tyre të përbashkëta rreth një tavoline se si të shkohet pastaj në biseda me LSDM-në për të shënuar fitore në zgjedhjet e prillit.

Tash për tash vetëm BDI i ka nisur këto konsultime të hapura me LSDM-në dhe nëse situata vazhdon kështu gjasat e fitores së kandidatit eventualisht të pajtuar midis këtyre dy partive do të jenë të vogla, sepse gjysma e votave të shqiptarëve do të mungonin.

Nëse ato duan që ndryshojnë gjendjen e të mos i bëjnë dhuratë VMRO-DPMNE-së, atëherë BDI, PDSH, Besa e Afrim Gashit, Besa e Bilall Kasamit dhe Aleanca për Shqiptarët do të duhej që të nisin konsultime të përbashkëta dhe të kenë një qëndrim unik për kandidatin e ardhshëm maqedonas, anëtar apo të afërt me LSDM-në apo ndonjë të tretë, dhe bashkuar votën e elektoratit të tyre.

 

Pas kësaj ato do të duhej nisur konsultimet me LSDM-në për kandidatin e përbashkët.
Vërejtjet e Ali Ahmetit për pasojat e kandidimit vetanak i ka kuptuar mjaft mirë Zoran Zaevi dhe prandaj ai u takua këtyre ditëve me të enkas për këtë çështje.

Por, vështirë se do të mjaftojnë vetëm votat e BDI-së dhe LSDM-së pa përkrahjen e partive të tjera shqiptare.

Partitë shqiptare do të duhej që të merren vesh midis tyre për të evituar zgjedhjen e një kandidati siç është Gjorge Ivanov, prandaj për këtë arsye do të duhej përvjelë konsultimeve ndër-partiake për të bashkuar dhe mobilizuar votat shqiptare së pari, e pastaj bërë bashkë me ato të LSDM-së.

E kundërta do të mund përsëri të jetë në dëm të vet shqiptarëve sepse do të mund të përsëriteshin situata të bllokadave siç diti të bëjë Ivanovi deri më tash.

Disa prej partive shqiptare do të mund të rrinë duke pritur telefonatat e Zaevit. Por në pritje, ato dhe BDI duhet filluar konsultimet midis tyre, për të mos u përballur pastaj me situata të vonuara dhe thellim të përçarjeve nëse deri atëherë partia më e madhe shqiptare dhe LSDM do të arrinin pajtimin.

Po ashtu, as BDI nuk do të duhej ngutur për kompromis me LSDM-në pa u konsultuar apo shtjerrë të gjitha konsultimet me partitë e tjera shqiptare.

 

Situatat politike si kjo dhe opsionet për të shthurur ato për të mirë duhet thjeshtësuar me iniciativa vetanake, e jo komplikuar situatën duke u ankuar në nismat e të tjerëve dhe qëndruar anash.

Gjendja aktuale në Maqedoni është se shqiptarët nuk janë shumicë, dhe në çështjen e zgjedhjes së kryetarit të ri të vendit, ato mund të japin kontributin për një kandidat maqedonas të moderuar dhe të hapur për të drejtat e shqiptarëve dhe proceset e integrimeve euro-atlantike, sidomos për reformat e gjata në pritje për hyrje në BE.

Por, kjo kërkon një pjesëmarrje aktive dhe jo pasive deri më 21 mars kur duhet shpalosur emrat e kandidatëve, apo në këtë rast të kandidatit të përbashkët.

Do të ishte e jashtëzakonshme sikur LSDM të përkrahte një kandidat shqiptar dhe elektorati i saj të dilte në mënyrë masive në zgjedhjet e prillit. Por, shoqëria maqedonase është larg kësaj. Jashtëzakonisht larg, për fat të keq.

Natyrisht se partitë shqiptare nuk janë të detyruara që të ndihmojnë kandidatin maqedonas nga radhët apo të afërt me LSDM-në apo ndonjë maqedonas tjetër të preferuar nga ato, por një fitore e kandidatit të VMRO-DPMNE do të ishte edhe më keq dhe edhe më shumë në dëm të të drejtave të shqiptarëve, edhe ashtu të kufizuara.

Në zgjedhjet e prillit shqiptarët ndodhen përballë evitimit të pasojave të vendimeve të një kandidat si ky i tashmi, meqë nuk mund të marrin atë që duan që të gjitha ato: fitore të një kandidati shqiptar.

Ky është realiteti i hidhur i raporteve i forcave në shifra por edhe i bashkëjetesës midis maqedonasve dhe shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut aktualisht.

Por, përkrahja nuk do të thotë se duhet që të jetë e pakusht.

E kushtëzimet për përkrahje të kandidatit të përbashkët dhe mobilizim të elektoratit shqiptar, e qartë, se nuk do të mungonin. Edhe një arsye më shumë pse së pari do të duhej gjetur gjuhë e përbashkët midis pesë partive politike shqiptare, para se të bisedohet me LSDM-në, si grup unik.

Nëse realizohet ky hap fillestar, pastaj le të jetë zgjedhje e LSDM-së nëse do të krijohet një front i përbashkët apo nëse ajo do t’i futej garës e vetmuar.

Të paktën oferta e pesëshes shqiptare LSDM-së do të duhej bërë. Ky do të ishte minimumi për një rrugëdalje “fito-fito” për të dy palët në prill. /Editorial nga Zhurnal/