Përmbytjet në Dobrosht nuk janë pasojë e natyrës por e njeriut!

Advertisment

Daut EMINI
Natyra nuk është krijuar të përshtatet ndaj çmendurive njerëzore! Natyra është krijuar miliarda vjet para njeriut. Atëherë, logjikë e thjeshtë është që njeriu duhet të respektoj ligjet e natyrës, sepse ajo (natyra) nuk fal, ajo dënon fajtorët dhe, përkrah tyre, pësojnë edhe të pafajshmit!

Përmbytjet që ndodhën, natën 23/24 qershorit 2020, në Dobrosht, vërtetojnë se ligjet e natyrës nuk falin, ato edhe kur vonojnë nuk harrojnë! Prandaj, ato që mundohen fajin për përmbytjet e fundit në Dobrosht t’ia lënë natyrës kanë probleme mendore, sepse vetëm një i sëmurë fajëson natyrën edhe kur ajo vepron në vetëmbrojtje.

Reklame

Natyra në Dobrosht veproi në vetëmbrojtje ndaj sulmeve të egra subjektive (njerëzore)!
Nëse do ketë drejtësi, të gjithë ato që sulmuan dhe shkatërruan natyrën, përgjatë lumit në Dobrosht, duhet të përgjigjen për dëmin që i krijuan asaj (natyrës), dhe, si rrjedhojë krijuan pasoja të rënda për qytetarët e Dobroshtit dhe jo vetëm! Logjika është e thjeshtë!

Gjatë ndërtimit të hidrocentraleve, përgjatë rrjedhës së lumit, janë realizuar punime tokësore për hapjen e kanalit dhe ndërtimin e rrugës për komunikacion. Nga gërmimet kanë dalë qindra mijëra kubik shkëmbinj, dhe, druj,…! Dhe, të gjitha këto, janë hedhur, rreth dhe në shtratin e lumit, gjatë tërë gjatësinë e tij! Kjo ka bërë që shtrati i lumit të zvogëlohet dhe vende-vende edhe të mbyllet!

Daut Emini
Daut Emini

Si dhe hedhja vend e pa vend e mbeturinave inerte nga qytetarët e fshatit Dobrosht, rreth dhe në shtratin e lumit! Përsa kohë nuk ka pasur të rreshura serioze, materjalet e hedhura kanë “bashkëjetuar me ujin” në shtratin e lumit! Tani kur të rreshurat qenë në sasi maksimale, “bashkëjetesa pa dëshir” është prishur dhe, si pasojë, të gjitha materjalet e hedhura pa kriter në lumë, gurë, dhe, druj,…, të hedhura nga dora e njeriut, dhunshëm janë larguar përgjatë tërë shtratit të lumit dhe janë hedhur në fshatin Dobrosht dhe jo vetëm!

Pyetja e thjeshtë, nga cdo qytetar i Dobroshtit, do ishte: Kush është fajtorë për këto përmbytje, nga materjale qëllimisht të hedhur (gurë, dhe, druj,…,) përgjatë tërë shtratit të lumit nga dora e njeriut?!

Vetëm një i çmendur do e fajësonte natyrën për këtë përmbytje në Dobrosht, sepse ligjet e natyrës nuk veprojnë si ligjet e njerëzimit, për njërin nënë e për tjetrin njerkë! Natyra i përdorë ligjet e saj pa mëshirë në vetëmbrojtje! Dhe përmbytjet në Dobrosht janë si pasojë e vetëmbrojtjes së natyrës, duke e pastruar shtratin e lumit të mbushur nga materjale të hedhur nga dora e njeriut!

Faji i përmbytjeve në Dobrosht është subjektiv dhe zinxhiror, nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut deri te Komuna e Tearcës, pa amnestuar as ndërmarrjen koncesionare, ndërmarrjen projektuese dhe ndërmarrjen ndërtuese. Fajtorë kryesor janë dy shtyllat kryesore të Shtetit, Qeveria që planifikoi shkatërrimin e natyrës përgjatë rrjedhës së lumit, dhe Komuna e Tearcës që nuk u angazhua në pengimin e kësaj katastrofe natyrore.

Sot, pas përmbytjes që ndodhi në fshatin Dobrosht, dhe jo vetëm, kërkim falja, për qytetarët e Dobroshtit, nga Qeveria dhe Komuna e Tearcës, s’kanë vlerë, sepse këto dëme, si pasojë e përmbytjes, pas vete tërheqin një kosto të lartë finaciare dhe jo vetëm! Hapat që duhet të pasojnë janë si vijon:

-Të dilet përpara qytetarëve të Dobroshtit dhe të emërtohet e të pranohet faji!
-Të krijohet një grup ekspertësh, me anëtarë edhe nga fshati Dobrosht, për përcaktimin e dëmeve të krijuara nga përmbytjet!
-Të krijohet një grup ekspertësh, me një anëtar edhe të fshatit Dobrosht, për përcaktimin dhe adresimin e përgjegjësisë ndaj çdo subjekti për shkaqet e përmbytjeve në Dobrosht.
-Të krijohet një grup pune, me anëtar edhe nga fshati Dobrosht, për të kontrolluar tërë procedurën e Marrëveshjes koncesionare deri në realizimin e saj!

Nga raportet e të gjitha grupeve të ekspertëve do të ketë një pasqyrë të qartë për përmbytjet në shatin Dobrosht. Uroj të ndiqet një rrugë e drejtë ligjore përballë natyrës, dhe të respektohet reagimi i saj në vetëmbrojtje!
Dhe në fund dua t’ua rikujtoj se, në dy shkrime, i kam paralajmëruar pasojat nga shkatërrimi i natyrës pa kriter dhe pa kontroll! Por ato shkrime hasën në vesh të shurdhur!