Përpjekje për ta ndaluar etninë në letërnjoftime!

…pas “shtetësisë”, shtohet fjala “përkatësi etnike”…

Ky është propozimi i Lëvizjes Besa në letërnjoftime të qëndrojë edhe përkatësia etnike, por partia “E Majta” me dy deputetë por përpiqet që ta bllokojë të njëjtin pasi që ka dorëzuar rreth 1200 amendamente.

Reklame
HTML Image as link Reklamë:
Qries

Nënkryetari i Kuvendit, njëherazi edhe deputet i Besës, Fadil Zendeli, thotë se kjo nismë nuk është sa për sy e faqe dhe se synimin e tyre do ta çojnë deri në fund, pavarësisht nëse dikush përpiqet ta pengojë.

“Duhet të gjejmë mënyra për ta debllokuar këtë situatë dhe me siguri se një veprim destruktiv i kësaj partie dhe i këtyre dy deputetëve, do gjendet mënyra ligjore, mënyra procedurale brenda Kuvendit që të tejkalohet edhe ky propozim ligj, që ta shohë dritën dhe jetësimin…”, tha Fadil Zendeli nga Lëvizja Besa.

Deputeti i partisë “e Majta”, Boris Kërmov, hapur e pranon se amendamentet i kanë dorëzuar për ta bllokuar ligjin.

“Po përfundimisht kjo është përpjekje për ta bllokuar ligjin, kjo është “filibaster”, u shpreh Boris Kërmov – deputet “ E Majta”.

Kërmov thotë se dyshojnë se me vendosjen e përkatësisë etnike në kartë identiteti, shkelet konventa kornizë evropiane për pakicat kombëtare. Nëse zëri i tyre kundër këtij ligji nuk dëgjohet, paralajmëron se do të drejtohen edhe në instanca ndërkombëtare.

“Nëse pushteti merr guximin që këtë ta shtyjë me forcë, ne planifikojmë fillimisht të ankohemi tek gjykatat tona, e më pas tek ato ndërkombëtare”, shtoi Boris Kërmov – deputet “ E Majta”.

Deputeti Zendeli nuk tregon formën se si do ta tejkalonin këtë situatë bllokade të krijuar për propozimin e tyre. Nuk konfirmon as nëse do të veprohet njëjti si në kohën kur VMRO-DPMNE-ja përpiqej ta bllokojë ligjin për përdorimin e gjuhëve me 30 mijë amendamente, por që nuk ja arriti, sepse nuk u morën parasysh.

Projektligji për dokumentet personale është në lexim të dytë. Ideja për grafë të përkatësisë etnike është pjesë e marrëveshjes për koalicion mes Besës dhe LSDM-së. Mbështetje deri më tani kanë shprehur edhe partia shqiptare në pushtet BDI. Edhe opozita shqiptare dhe ajo maqedonase, VMRO-DPMNE-ja dhe koaliconi ASh-Alternativa parimisht janë shprehur pro.