Përshefca pa ujë, Neziri: Shpresojmë të na mbështesin financiarisht institucionet qëndrore

Rreth 700 shtëpi të fshatit Përshevcë të komunës së Tearcës prej vitesh po përballen me mungesën e ujit për pije. Situata përkeqësohet gjatë muajve të nxehta të verës, kur për pasojë të mungesës së ujit në burime, banorët detyrohen që ujin për pije, ta sigurojnë nga lumi i fshatit, i cili përveç që është i papastër, dëmton edhe pajisjet shtëpiake.

Banorët ankohen se edhe pse nuk kanë ujë për pije, ata në vit paguajnë rreth 30 euro për ujin, e i cili, në rezervuarët e fshatit, gjatë verës, futet nga Lumi Bistrica.

“Ujë për pije momentalisht ka por është prej lumit. Ka me ndërprerje ditën. Ujin e lumit e pimë, nuk është i pastër, ndonjë ditë dhe është i pastër por problem kemi me teknikën e bardhë në shtëpi. Që kur u ndërtuan hidrocentralet uji nuk bën, më tepër është me naftë dhe vaj se sa i pastër, sepse filter nuk ka, e ne e marrim prej lumit. Kjo teknikën e bardhë e dëmton secilën muaj apo dy duhet të ndërrosh të njëjtat”, u shpreh një banor.

“Ne banorët e ndjejmë mungesën por çka të bëjmë, s’është vetëm fshati jonë sepse prej atij lumi marrim ujë tre fshatra, Përshevcë, Tearcë e Gllogjë. Kjo gjendje është që në vitetet e shtatëdhjeta”, tha një banor.

Kreu i bashkësisë lokale të fshatit Nuredin Abduli është shprehur se, për mungesen e madhë të ujit gjatë stinës së verës, faji qëndron edhe te banorët që e keqpërdorin ujin për vaditje.

“Premtimet e komunës janë të kahmotshme se do e bëjnë filtër të përbashkët Tearcë, Përshevcë, Gllogj, por ende asgjë nga ai projekt. Vetëm fjalë kanë mbetur. Këtë vit nuk kemi marrë ujë prej lumit dhe kemi ujë por problemi është tek keqpërdoruesit. Sepse ne kemi ujë 30 litra ujë në sekondë, dhe është plot por keqpërdoret, ujiten livadhe parqe”, u shpreh Nuredin Abduli, Kryeplaku i fshatit Përshevcë.

Zgjidhja e këtij problemi nga ana e komunës është i pamundur, shkaku i kostos së lartë të projektit për stacionet e filtrimit dhe rezervuarve, thotë i pari i komunës së Tearcës Nuhi Neziri.

“Ne kemi konkurruar në të gjitha ministritë, drejtoritë, fondet, për tu futur në këtë investim. Jemi në pritje këtyre ditëve për të na konkretizuar dhe ndoshta mund të jemi pjesërisht fitues për këtë investim nga fondet e tilla, dhe pjesën tjetër të mundohemi ta realizojmë në një kohë tjetër”, tha Nuhi Neziri, kryetar i komunës së Tearcës.

Ndryshe, banorët e fshatit Përshevcë ankohen se, problemet me papastërtinë e ujit por edhe mungesën e tij, kanë filluar në momentin kur u futën në funksion hidrocentralet e vogla mbi fshatin Përshevcë.