Petliçovski: Varianti britanik i virusit korona me aftësi më të mëdha bartëse

Mutacioni britanik ka një aftësi më të madhe për transmetim ndërmjet njerëzve krahasuar me llojin origjinal të virusit korona, tha në paraqitjen e sotme në emisionin “360 Gradë” në Alsat, drejtori i Institutit të Imunobiologjisë dhe Gjenetikës Njerëzore në UKM, Aleksandar Petliçkovski.

“Nëse në një hapësirë gjenden një person i infektuar dhe disa individë të pa infektuar, përqindja e të infektuarve kur të përfundojë takimi në atë hapësirë ​​të mbyllur do të jetë më e lartë. Për shembull 10 njerëz flasin, njëri është infektiv.

Pas një ore, 6-7, nga të pranishmit do të dalin me virusin në receptorët e tyre, krahasuar me tre që do të dilnin të infektuar 3-4 muaj më parë,” tha Petliçovski, duke shpjeguar se një epilog i tillë do të ndodhte, nëse nuk do të ndërmerreshin masat mbrojtëse kundër transmetimit të sëmundjes- si mbajtja e maskës ​​dhe e distancës nga njëri-tjetri.