Plani ‘maqedon’ për ta luajtur ndeshjen me Kosovën

70

“Ndeshja Maqedoni-Kosovë mund të zhvendoset në Strumicë për shkak të rrezikut të lartë”. Maqedoni e Veriut – Kosovë, është ndeshja gjysmëfinale e Ligës së Kombeve, që do të luhet më 26 mars të vitit të ardhshëm.

Dilema është se në cilin qytet të shtetit fqinj do të zhvillohet takimi, Shkup apo në Shtrumicë Gazeta olle ka kontaktuar zëdhënësin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Faton Zylbehari, i cili ka folur për takimin. Sipas tij, gjithçka sa i përket qytetit mikpritës të këtij takimi varet edhe nga UEFA. “Shkupi është vendi adekuat dhe stadiumi që i plotëson kushtet për ndeshje të këtij niveli. Por, e gjitha varet nga UEFA nëse do ta vlerësojë se ndeshja mund të jetë e rrezikut të lartë”, thekson Zylbehari.

Maqedonia e Veriut, dy vite më parë luajti kundër Shqipërisë në Shtrumicë, stadium që zë rreth 10 mijë tifozë. Sipas Zylbeharit, UEFA këtë takim e kishte cilësuar me rrezikshmëri të lartë dhe për këtë arsye nuk ishte luajtur në stadiumin “Toshe Proeski” në Shkup, që ka kapacitet prej rreth 33 mijë ulësesh. “Praktika e ndeshjes me Shqipërinë thotë ashtu. Tani ne vetëm mund të supozojmë. Deri më tash, e gjitha kjo është jo zyrtare”, shton Zylbehari, duke sqaruar se në ditët dhe javët në vijim mund të konsultohen me UEFA-n për të vendosur përfundimisht se ku do të luhet takimi.