#

Shkruan: Orhan Ibrahimi

Jam i bindur se me këto pyetje të nderuar anëtarë dhe mbështetës të PDSH-së, jeni ndeshur edhe ju. Sepse edhe mua shumë herë më janë shtruar këto pyetje në vendin ku jetoj dhe gjatë veprimtarisë disa dekadëshe s’bashku me ju. Tre dekada mbijetesë e rrezistencë, tre dekada tëndencë për përçarje, disfalikime, njollosje dhe linçime, tre dekada ndjekje, dhunë e burgosje, tre dekada PDSH, krenari, dinjitet, atdhetarizëm, fisnikëri e shpresë për liri. E vërtetë është se ky aktivitet të lodh, të sfilit, të merr kohë, shumë herë të lëndon dhe njerzit rreth teje mund të mos kenë mirëkuptim.

Por, njeriu si krijesë e veçantë, i bekuar dhe i paisur me intelekt dhe me të folurin si asnjë gjallëresë tjetër, e ka për obligim dhe detyrim të bëjë përpjekje, të punojë, të organizohet, të qendrojë dhe të rrezistojë për lirinë, barazinë, drejtësinë dhe për mirqenien kur ato nuk i gëzon apo kur ato i cenohen.

Kjo shtëpi e shqiptarëve e quajtur PDSH, e ngritur me aq mund e përpjekje, u shndrrua në shkollë politike dhe në bastion për mbrojtjen, vetëdisimin dhe jetësimin e lirisë dhe barazisë së shqiptarëve. Këto aktivitete dilnin nga programet dhe platoformat politike të hartuara nga kjo shkollë politike. Nga këto dyer dolën gjenerata e gjenerata të trajnuara, të shkolluara dhe të kalitura për të gjitha sfidat që u ndeshëm dhe që do të përballemi.
Për tre dekada u krijuan shumë lidhje njerëzore, shpirtërore dhe emocionale me këtë dhe rreth këtij organizimi politik. Sot në mesin tonë nuk gjinden dhe janë në botën e amshimit shumë anëtarë, miq, ideatorë dhe themelues të PDSH-së, nga Kryetari i parë dhe njëri nga arqitektët e kësaj shtëpie politike z. Arbën Xhaferi, profesor Muharrem Nexhipi e shumë e shumë të tjerë.

Duke kërkuar falje, në këtë shkrim dua ti kujtoj me shumë mall disa miq, shok e bashkmendimtarë të rrethit të Kumanovës, që aq shumë e deshtën PDSH-në, e fuqizuan dhe punuan me devotshmëri të paparë për të. Mësuesi Sami nga Mateçi, Dani i Hotlës, Mesuesi Arif nga Likova, Besniku, Faredini dhe dr. Zejna nga Sllupçani, Adnani vllau im, Qemali i njohur si berberi nga Kumanova, aga Bajram, baci Hamid, Halili dhe Emërllahu nga qyteti, Mitati prej Llojani, profesor Shabiu dhe Nurani nga Vaksinca.

Pa dilemë motra dhe vëllezër, amaneti dhe idealet e tyre ne na japin kurajo dhe besim, na bëjnë më njerëzorë dhe të pa thyeshëm në rrugtimin tonë. Rruga jonë nuk e ka si synim që individi të bëjë karierë politike mbi interesat dhe synimet kolektive të shqiptarëve. Andaj ne na duhet unifikimi në vend të përçarjes. Çdo mendje progresiste e lusim dhe e ftojmë të na bashkangjitet, për çdo shqiptarë me tipare fisnike e humane kemi nevojë. Të gjithë ato që kontribuan për PDSH-në, në etapa të ndryshme kohore e kanë vendin brenda në kala. Mbi gjitha ne kemi nevojë për rininë shqiptare e cila ka qenë avangardë e të gjitha ndryshimeve dhe proceseseve shoqërore e politike. Nuk mund të triumfojë e mira mbi të keqen dhe të ligën në rast se nuk rreshtim të luftojmë brenda vetes smirën e përçmimin.

Ardhmëria dhe mirqenia e fëmijve, shkollimi dhe perspektiva e rinisë shqiptare, liria dhe barazia janë himere permanente. Për ato duhet të punojmë pa rreshtur, me shumë zell e këmbëngulje, duke dhënë nga vetja edhe gjërat më sublime.
I bindur në këto aspirata, ne do t’ia dalim!