Policia arreston të riun nga Shkupi, grabiti disa bastore me pistoletë të plastikës

Ministria e Punëve të Brendshme njofton se gjatë ditës së sotme ka ndaluar një të mitur nga Shkupi pasi i njëjti dyshohet për grabitje, përcjell TV21. I mituri 17-vjeç nga fshati Zelenikovë i Shkupit dyshohet se në disa raste me pistoletë të plastikës ka grabitur bastore sportive në rajonin e Shkupit.

“Më datë 27.05.2022 rreth orës 09.00 në një lokal bastesh sportive, 17-vjeçari me kërcënim me armë të plastikës i ka marrë para punonjëses dhe po atë ditë ka kryer një grabitje në mënyrë identike në një lokal tjetër bastesh sportive. Të njëjtën vepër 17-vjeçari e ka kryer më datë 26.05.2022 në një bastore sportive në zonën e Karposhit, më datë 23.05.2022 në një lokal bastesh në zonën e Aerodromit, më datë 17.05.2022 në zonën e Kisella Vodës, më 06.05.2022 dhe më 30.04.2022 në pikat e basteve në zonën e Aerodromit. I mituri ka pranuar se ka kryer edhe tre grabitje të tjera në baste sportive në zonën e Aerodromit, dhe atë me 27.03.2022, më 23.03.2022 në orën 21:00 dhe më 3 dhjetor 2021 rreth orës 18:00, kur me kërcënim u ka marrë para punonjësve. Personit i janë gjetur dhe konfiskuar objekte të lidhura me krimet”, thonë nga MPB.