Policia e Tetovës në takim me pronarët e objekteve hotelerike, ja çka kërkojn prej tyre

Advertisment

Sektori i Punëve të Brendshme – Tetovë sot ka filluar me një seri takimesh parandaluese-informuese, me pronarët e objekteve hotelerike nga rajoni i Tetovës dhe Gostivarit, të udhëhequr nga Njësiti i Parandalimit.

Nga SPB Tetovë thonë se brenda këtyre takimeve, të cilat do të mbulojnë mbi 30 objekte hotelierike, zyrtarët e policisë do t’u tregojnë pronarëve të lokaleve nevojën për zbatim të qëndrueshëm dhe respektimin e plotë të vendimeve të qeverisë, në lidhje me mbrojtjen kundër përhapjes së coronavirusit.

Reklame

“Për më tepër, domosdoshmëria e veprimit të detyrueshëm sipas protokolleve të përcaktuara për punë, veçanërisht kur organizohen manifestime, ahengje dhe ngjarje të tjera. Në këto takime, pronarët e objekteve hotelerike ku organizohen më shpesh ngjarje të tilla, do të njihen më nga afër me implikimet ligjore, nëse nuk veprojnë në përputhje me standardet dhe kriteret e parashikuara ligjërisht dhe mbi të gjitha nëse në ambiente organizohen dasma apo festime të tjera familjare me një numër më të madh të mysafirëve të pranishëm”, thuhet në njoftimin e SPB Tetovë.

Më tej ata shtojnë se aktivitetet parandaluese do të vazhdojnë deri në fund të këtij muaji dhe qëllimi i tyre është që edhe një herë të informojnë menaxhuesit e objekteve hotelerike se, si të sillen praktikisht dhe çfarë duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje kur bëhet fjalë për parandalimin e Covid-19.