Politikani holandez Doorn: Mjaft më, përfundimisht ka ardhur koha që muslimanët të zgjohen

Advertisment

Ish-anëtari i Partisë holandeze të së djathtës ekstreme të Lirisë, Arnoud Van Doorn, i cili pranoi Islamin dhe u largua nga kjo parti, reagoi ndaj sulmeve franceze që u bëhen Islamit dhe muslimanëve. Ai tha se “është tepruar” dhe se më në fund ka ardhur koha që muslimanët të zgjohen.

Në një deklaratë për Anadolu Agency (AA), Doorn, udhëheqësi i partisë së Unitetit, foli mbi sulmet e fundit nga qeveria e presidentit francez Emmanuel Macron ndaj muslimanëve, si dhe sulmet ndaj objekteve fetare muslimane.

Reklame

Duke deklaruar se sulmet e tanishme ndaj muslimanëve në Francë nuk janë diçka që nuk është parë më parë, Doorn paralajmëron se ato janë gjithnjë e më alarmante.

“Lufta kundër ekstremizmit është vetëm një justifikim. Ajo që po ndodh nuk ka të bëjë me ekstremizmin, por me Islamin. Për Macronin, ky mund të jetë material zgjedhor, por është një agjendë evropiane që synon posaçërisht krijimin e një kuptimi ‘modern, ‘liberal’ ose një kuptim ‘perëndimor’ të Islamit. Qëllimi i një kuptimi të tillë të Islamit është asimilimi i plotë i muslimanëve dhe shkatërrimi i identitetit islam”, thotë Doorn.

Ai vuri në dukje se Franca, së bashku me Holandën, Danimarkën dhe Hungarinë, është vendi që udhëheq shpifjet ndaj muslimanëve në Evropë.

“Qëndrimi i Francës nuk bën përjashtim lidhur me këtë çështje. Franca ka hequr maskën e ‘lirisë’ dhe ‘barazisë’ duke pushuar hoxhallarë, duke mbyllur xhami dhe duke vendosur shkollat ​​muslimane nën kontrollin e drejtpërdrejtë të shtetit. Për këtë arsye, Franca duket se është një poligon për testimin e planeve politike evropiane antimuslimane. Mbështetja e hapur e kryeministrit (holandez) Rutte për deklaratat antimuslimane të Macronit e dëshmon këtë. Holanda është ndër tre vendet kryesore antiislame”, theksoi Doorn.

Më tej, ai shprehet se vendet e botës islame duhet të ndërmarrin hapa shumë seriozë.

“Vazhdoni të bojkotoni produktet franceze dhe mos iu nënshtroni presionit diplomatik francez. Nëse është e nevojshme, thërrisni ambasadorët. Tregoni se muslimanët janë seriozë këtë herë. Mjaft më”, tha Doorn.

Ai nënvizon se “është koha që muslimanët të zgjohen përfundimisht”.

“Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se ka shumë njerëz në komunitetin tonë të cilët në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë i shërbejnë programit të qeverisë për para ose status. Për të luftuar minimin e të drejtave muslimane dhe për të mbrojtur identitetin islam, ne duhet të bashkohemi dhe të ngrisim kolektiva që veprojnë në fusha të tilla si ligji, media, politika dhe arsimi”, përfundoi Doorn.

Pas vrasjes së një mësuesi në Francë më 16 tetor, i cili u tregoi nxënësve karikaturat në klasë që përqeshin Profetin Muhamed, Macron paraqiti një seri pikëpamjesh që për objektivë kishin kryesisht Islamin dhe muslimanët. Këto fjalë dhe karikatura me fyerje të Profetit Muhamed, që u shfaqën në disa ndërtesa individuale, provokuan një seri reagimesh dhe protestash në botën islame.

Në shumë vende, përfshirë Katarin, Kuvajtin, Algjerinë, Sudanin, Palestinën dhe Marokun, ka filluar bojkoti i produkteve franceze. Përveç kësaj, duke rikujtuar se ka një bojkot të produkteve turke në Francë, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan i bëri thirrje popullit turk të bojkotojë produktet franceze.