Politizimi i regjistrimit, mund t’i irritojë shqiptarët në diasporë

Partitë politike në Maqedoninë e Veriut po shfrytëzojnë çdo mundësi që të përfitojnë pikë politike. Fatkeqësisht partia shqiptare në pushtet po mundohet të përvetësojë procesin e regjistrimit për të cilin janë moilizuar të gjithë. Me qëllim që ky proces të dal i suksesshëm janë aktivizuar të vegjeël e të mëdhenj, parti politike në pushtet e në opozitë, politikanë brenda e jashtë vendit, por edhe intelektualë e publicistë.

Rol shumë të rëndësishëm në informimin dhe sensibilizimin e popullatës janë duke luajtur edhe hoxhallarët, të cilët nëpërmjet xhamive dhe xhematit të tyre po i njoftojnë mërgimtarët se si të regjistrohen. Përkrahje masovike që shqiptarët ta shfrytëzojnë mundësinë për tu regjistruar në këtë proces i dhanë edhe hoxhallarët. Ata janë figurat publike më me ndikim edhe në këtë proces kombëtar, shtetërorë dhe demokratik.

Pavarësisht që nuk ushtrojnë funksione administrative ose politike në institucione apo parti politike, ata i gjen prej më të zëshmëve. Hoxhallarët në diasporë u vunë në shërbim të kauzës që rrjetet e tyre të ndikimit, xhamitë shqiptare në diasporë të jenë në shërbim të qytetarëve.

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut në masë të madhe jetojnë në diasporë, për shkak të rrethanave politike dhe socio-ekonomike që iu kanë imponuar nga regjimet e padrejta përgjatë historisë, prandaj është jetike reflektimi i tyre edhe në aspektin statistikor.

 

Deri më tani, jozyrtarisht të dhënat flasin se mbi 100 mijë qytetarë të Maqedonisë së Veriut që jetojnë jashtë shtetit kanë arritur të regjistrohen. Numri i tyre sigurisht që është shumë i rëndësishëm, prandaj deri më 21 prill nevojitet edhe shumë mobilizim që bashkë me diasporën të regjistrohen edhe banorët vendas.

Opozita shqiptare sërish ka ngritur shqetësimin për pengesa në aplikacion. Sipas ASH-së të dhënat për komunën, për adresën dhe për profesionet në formular janë vetëm maqedonisht dhe kjo iu shkakton probleme qytetarëve që nuk e njohin gjuhën maqedonase.

Nga ana tjetër, opozita maqedonase, VMRO DPMNE sërish ka ftuar qeverinë që të ndërpresë procesin e regjistrimit. Sipas opozitës maqedonase, regjistrimi në kohë pandemie ndihmon përhapjen e virusit dhe rezikon shëndetin e qytetarëve. Nga VMRO DPMNE thonë se në kushte të këtilla epidemiologjike regjistrimi duhet të ndërpritet.

Sipas tyre, rreziku nga zbatimi i regjistrimit është shumë i madh, pasi regjistrues të pa vaksinuar nënkuptojnë përhapje në masë të virusit dhe 2400 viktima të mundshme vetëm nga regjistrimi. Sipas vlerësimeve do të infektohen rreth 500 mijë persona.

Kryeministri Zoran Zaev ka përjashtuar çdo mundësi, që të anulohet procesi i regjistrimit të popullsisë në vend. Ai ka vlerësuar, se askush nuk garanton se si do të jetë situata epidemiologjike në vend në vjeshtë, apo pranverën e ardhshme, duke thënë se, nëse anulohet regjistrimi tani, do të anulohet për 10 vjet.

Ai ka bërë thirrje deri te të gjithë qytetarët, që të apelojnë për regjistrimin e popullsisë, pasi siç u shpreh, nëse nuk e kryejmë këtë obligim ligjor, nuk do të mund të jemi maqedonas më të mëdhenj dhe as shqiptarë më të mëdhenj.

Në ndërkohë ka vazhduar procesi i regjistrimit edhe në vend për grupe të caktuara. Përkatësisht, Enti Shtetëror i Statistikave njofton se me sukses është realizuar regjistrimi i të pastrehëve në qendrat e strehimit në Vizbeg, Çiçino dhe Ranka Millanoviq.

Por, ajo që më së shumti i irriton qytetarët është se partia shqiptare në pushtet, BDI mundohet ta përvetësojë këtë proces dhe ta tregojë si sukses i kësaj partie. Ata harrojnë se regjistrimi i suksesshëm është sukses dhe meritë e të gjithë partive politike shqiptare dhe i gjithë qytetarëve të saj. Ata që regjistrohen nuk janë anëtarë vetëm të një partie politike, por janë qytetarë të cilët mbi të gjitha e kanë vënë interesin kombëtar.

Shqiptarët kanë ditur dhe dinë si gjithmonë që në procese të rëndësishme kombëtare të mobilizohen maksimalisht. Ngjashëm janë mobilizuar edhe në regjistrimin e parë pas pavarësisë, edhe gjatë referendumit edhe për themelimin e Univerzitetit të Tetovës, edhe gjatë luftës së Kosovës, edhe gjatë luftës së vitit 2001 në Maqedoninë e Veriut dhe gjithmonë kur ka pasur nevojë të shkojnë përpara proceset kombëtare.

Shqiptarët në diasporë janë shtresa më vitale e kombit, sepse atyre nuk iu intereson interesi individual i partive politike. Këtë e treguan edhe gjatë zgjedhjeve të kaluar në diasporë, kur pikërisht në momentet kur tentohej të përfitonin partitë politike, ata i bojkotuan dhe nuk dolën që të votojnë. Prandaj, në çdo moment që mund të partizohet ky proces i regjistrimit, mund të ketë kundërefekt dhe të irritojë shqiptarët në diasporë.

Ky proces që për momentin duket se është duke shkuar mbarë, nuk guxon të dështojë për shkak të inateve partiake të politikanëve të caktuar të cilët duke dashur të përfitojnë pikë politike, po shkaktojnë pakënaqësi te popullata shqiptare që jeton në mërgim. Shumë komente të tyre janë në drejtimin se ne ata nuk regjistrohen për hatër të BDI-së, ASH-së, Alternativës ose BESËS, por për shkak të interesit kombëtar që është mbi të gjitha.

Prandaj, politikanët shqiptarë me veprimet e tyre mos të bëjnë më shumë dëm se sa dobi, mos të partizojnë procesin dhe mos të tentojnë ta përvetësojnë atë, sepse kjo mund të ketë pasoja të rënda. Është i nevojshëm informim dhe mobilizim maksimal që çdo kush të regjistrohet, por në asnjë mënyrë partizim dhe përfitim i pikëve politike në emër të këtij procesi kaq të rëndësishëm për të ardhmen e popullit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut./zhurnal/