Presidenti Pendarovski votoi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare

Advertisment

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, realizoi të drejtën e votës në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që mbahen në vend.

I shoqëruar nga bashkëshortja dhe djali i tij, presidenti Pendarovski votoi duke ndjekur protokollet e vaçanta që miratuara për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).

Reklame

Në deklaratë për mediat pas votimit, ai u shpreh se sipas informatave të deritanishme, procesi i votimit po zhvillohet në një atmosferë të qetë dhe demokratike, duke uruar që kështu të vazhdojë deri në fund të ditës.

“Ajo që është e rëndësishme dhe specifike për këto zgjedhje dhe për mendimin tim duhet të mbetet e tillë deri në fund të ditës së zgjedhjeve, deri më tani zgjedhjet mbahen duke respektuar maksimalisht protokollet shëndetësore, sepse është jashtëzakonisht e rëndësishme për të gjithë ata që duan të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës sot, çdo qytetar të jetë maksimalisht i mbrojtur. Kuptohet, edhe rreth 30-35 mijë njerëz që janë angazhuar si anëtarë të komiteteve zgjedhore”, tha Pendarovski.

Presidenti theksoi se Maqedonia e Veriut është në mesin e pak shteteve në botë që zhvillojnë zgjedhje në kushte të pandemisë.

“Sot duhet të jetë votimi transparent, i drejtë, demokratik dhe të gjithë personat e përfshirë në procesin zgjedhor duhet të mbrohen. Ju e dini, ne jemi një nga 5-6 vendet e para në botë që organizojnë zgjedhje në kohë të koronës”, theksoi ai.

Pendarovski gjithashtu tha se në fund të zgjedhjeve, pret që pjesëmarrësit në procesin zgjedhor të urojnë njëri-tjetrin.

“Shpresoj që do të mbetet ashtu siç është deri tani gjatë gjithë ditës së zgjedhjeve, deri në shpalljen e rezultateve dhe nuk ka rëndësi se kush do të jetë fituesi zyrtar sonte, unë pres ashtu si i përshtatet një shteti evropian, demokratik, të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor të shtrëngojnë duart dhe të urojnë njëri-tjetrin sonte”, tha Pendarovski.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare sot në Maqedoninë e Veriut të drejtë vote kanë 1.814.263 qytetarë në gjithsej 3.390 vendvotime në gjashtë njësitë zgjedhore të vendit.

Për 120 ulëse në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut garojnë 15 koalicione dhe parti politike me gjithsej 1.560 kandidatë.