Problemi i Zaevit për kryeministrin shqiptar? A mund të shkëmbejnë deputetë LSDM dhe VMRO-DPMNE?

Advertisment

Jam i gatshëm të shmangem, duke biseduar me deputetët tanë, 13 deputetë nga zotëri Mickoski, sepse aq i duhen për 61 deputetë, ai të formojë qeveri të pakicave, ose do të kërkojë nga ai të mi japë 6, sepse aq na duhen neve, që të mund të formojmë qeveri të pakicave”, deklaroi Zaev.

Kështu thoshte kreu i LSDM-së Zoran Zaev para zgjedhjeve, në mënyrë që mos të kushtëzohet nga BDI, për kryeministrin shqiptar.

Reklame

E tani kur përfunduan zgjedhjet, pikërisht numrat e deputetëve e përcaktojnë BDI-në si parti vendimtare për formimin e Qeverisë.

Por a është e mundur që LSDM dhe VMRO-DPMNE të transferojnë deputetë me njëra tjetrën vetëm e vetëm që mos të realizohet ideja e BDI-së për Kryeministrin shqiptar.

Sipas liderit të BDI-së Ali Ahmeti kjo ide është shumë e rrezikshme.

G:Nëse nuk e pranojnë kryeministrin shqiptar, do e çoni vendin në zgjedhje apo dy partitë të bllokut maqedonas të cilat do i japin njëra tjetrës për ta bërë qeverinë?

Ahmeti: Edhe ajo nuk mund të ndodh.

G: po si s’mund të ndodh. Po e dëgjuat z.Zaev dhe z. Mickoskin publikisht e thanë.

Ahmeti: Unë i dëgjoj ato huazime, ato merkato, por ato nuk mundin të ndodhin sepse është përmbys hegjemonizmi. Hegjemonizmi është përmbys. Hegjemonizmi në theqafje e çoi Jugosllavinë.

Pyetëm në partinë e Mickoskit se a kanë besim tek deputetët e tyre dhe se a ka gjasa që sërish të ndodh shkëputja e deputetëve nga partia, ashtu siç ndodhi me 8 deputetët nga përbërja e kaluar.

“Tani për tani nuk mundem asgjë konkretisht të përgjigjem sepse në rrjedha janë bisedimet, kështu që të presim të përfundojnë bisedimet dhe do të shohim se si do të zhvillohen çështjet deri në fund”, deklaroi Kiril Lazov nga VMRO DPMNE.

Analisti Arben Llalla thotë se nëse ndodh një gjë e tillë do të kemi destabilizim politik.

“Nuk besoj se do të luhen lojëra të tilla sepse nëse do të kemi lojëra të tilla të poshtra, që partitë maqedonase do të ndihmojnë njëra tjetrën për të nënshtruar BDI-në, atëherë do kemi shumë shpejtë zgjedhje të parakohshme ndoshta brenda 6 muajve dhe do të kemi destabilizim politik, jo destabilizim shtetëror”, tha Llalla.

Ndryshe LSDM doli e para në zgjedhjet e 15 korrikut me gjithsej 46 mandate deputetësh, ndërsa lideri i saj Zoran Zaev si mandatar do të duhet të formojë Qeverinë e re. Zaevit do t’i duhen edhe 15 deputetë, , por nga partia e Ahmetit janë të vendosur se marrëveshja mund të arrihet vetëm me realizimin e idesë për kryeministrin shqiptar.

Nga ana tjetër koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE ka marr 44 deputetë, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa 12, E majta 2 dhe PDSH 1.