Procesi i zgjedhjes së rektorit, sfidë e radhës për grupet e interesit në Universitetin e Tetovës

Mislim Zendeli

Globalizimi dhe zhvillimi i përshpejtuar i teknologjisë dhe jo vetëm, ndikojnë në tekat zhvillimore në fushën e arsimit të lartë. Komuniteti akademik është universal dhe global. Si në sferat e tjera të funksionalitetit organizativ të gjitha pozicione menaxheriale janë të ngjashme. Prandaj zgjedhja e rektorit në çdo universitet paraqet ngjarje jo vetëm për strukturat brenda për brenda institucionit por dhe më gjerë.

Sipas gjetjeve të hulumtimit të bërë nga Shoqata Evropiane e Universiteteve EUA (2015) rektori është udhëheqësi i parë politik dhe akademik, i cili drejton një institucionin mjaft kompleks. Kjo do të thotë që udhëheqësi i universitetit duhet profesionalisht të drejtojë, të menaxhojë dhe qeveris institucionin – universitet.

Pozita e rektorit të shekullit 21 nga personi që pretendon apo kandidon kërkohet të jetë një ‘rektor që punon’, i disponueshëm dhe i aftë për t u marrë me të gjitha aspektet e menaxhimit të universitetit.

Ndërkohë që të gjitha subjektet që marrin pjesë në procesin e zgjedhjes së rektorit duhet të jenë të vetëdijshëm për rëndësinë që ka kjo pozitë udhëheqëse. Vlerat me të cilat duhet të disponojë personi që pretendon postin e rektorit përmblidhen në kërkesat si më poshtë:

 

Të ketë përvojë në drejtimin e një organizate të madhe akademike dhe përvojë në marrëdhëniet me publikun e gjerë;
Të jetë i aftë për të siguruar paanshmëri dhe drejtësi për të gjitha grupet e interesave të universitetit si dhe të dëshmojë se është jopartiak; Të ketë gatishmëri për të mbështetur një kauzë, pa frikë ose favor;

Të respektojë kohën dhe procedorat gjatë vendimmarrjes; Të jetë i përkushtuar për punë ekipore në drejtimin e universitetit; Të shpërndajë në mënyrë të denjë e me transparencë informatat lidhur me vendimet me të gjitha grupet e interest.etj.Të jetë transparent dhe i ndershëm gjatë angazhimeve në zgjidhjen e çështjeve brenda universitetit;

Të jetë në gjendje që në mënyrë të pavarur të merr përgjegjësi dhe vendime; Të angazhohet në mbrojtjen e interesave të studentëve; dhe të garantojë një administrim të ekuilibruar dhe të paanshëm.

Edhepse procesi i zgjedhjes së rektorit në Republikën e Maqedonisë së Veriut është i përcaktuar në mënyrë ligjore megjithatë është mirë që paraprakisht të inicohen debate rreth zgjedhjes kuptohet brenda kornizës ligjore.

Procesin në fjalë gjithandej e dëmtojnë rëndë disa anomali si p.sh. ndikimi I politikës ditore apo lobimi i grupeve të interesit në komunitetin akademik në sistemin zgjedhor, çështjet që kanë të bëjnë me konfliktin e interesit dhe konflikteve shtesë në universitet. Këto dhe mangësi të ngjashme ndikojnë në cilësinë dhe mbarëvajtjen e procesit të seleksionimit pozitiv të kandidatëve për rector.

Pozicioni i rektorit në Universitetin e Tetovës, tani i njohur me emrin ˮ Fadil Sulejmani ”, është aq i politizuar sa që tani kur afrohet fundi i mandatit të rektorit aktual, të gjithë duan të dinë se kush do të jetë personi që do tʼi ʼngarkohet barraʼ për të udhëhequr me këtë institucion arsimor publik – tempull të dijes të ngritur me mund, djersë e sacrificë gjaku.

Ky përqendrim i vëmendjes së opinionit është shtuar nga fakti se, është folur e përfolur për menaxhim jo të ndërgjegjshëm me këtë institucion të rëndësishëm arsimor. Për shkaqe të natyrave të ndryshme si dhe të mungesës së përgjegjësisë, përkatësisht aftësisë së munguar për menaxhim të Universitetit të Tetovës pas tërheqjes së themeluesit Prof. Fadil Sulejmanit, tanimë i ndjerë, kureshtja dhe thashethemja për rektorin në ardhje janë dita ditës më të theksuara.

Disa prej tyre u akuzuan nga mediat për transmetimin e një imazhi të universitetit të udhëhequr nga interesat e partive politike dhe atyre klanore. Akuzat kishin të bënin me keqpërdorime të fondeve, dhënien e titujve akademikë në mënyrë jo të ligjshme, për nepotizëm të skajshëm, etj. Po ashtu ata ngarkoheshin me mënyrën jotransparente të udhëheqjes, shuarjen e zërave të pakënaqur të studentëve për protesta e të ngjashme.

Shkenca e menaxhimit të burimeve njerëzore këshillon që për postet e larta organizative të ketë më tepër kandidatë. Prandaj konsiderojmë se në gara për zgjedhjen e rektorit patjetër të ndërhyhet për zgjedhje me më tepër kandidatë të mundshëm meqë tashmë është vërtetuar se kjo qasje sjell rezultate më të mira.

Ndërkaq sa i përket pyetjes së burimit apo prejardhjes së kandidatëve të mundshëm që garojnë, mendoj se kandidatët brenda komunitetit akademik të një universiteti, për shumë arsye, janë më afër objektivitetit dhe më të përshtatshëm. Prurja e një rektori nga jashtë do të përcjellte mesazh te popullata, se ka vazhdimësi lojërash politike të cilat e kanë përcjellë me vite menaxhimin me këtë universitet. Vlerësoj se është momenti i fundit, që ne që jemi dhe veprojmë brenda institucionit tʼi përkushtohemi procesit të zgjedhjes me tërë kapacitetin intelektual dhe të mbështesim një personalitet, që do të avansojë dhe çojë përpara çështjet e arsimit të lartë publik ndër ne.

Për të arritur këtë synim duhet të diskutojmë dhe të japim mendimet tona me kohë. Kandidatët që pretendojnë se i plotësojnë kriteret ligjore, menaxhuese dhe etike, me kandidaturat e tyre, të dalin sa më parë në publik dhe të shpalosin në pika të shkurtëra programet e tyre. Kjo me të vetmin qëllim që t ju hapet rrugë studentëve që paraqesin objektin dhe subjektin e universitetit tʼi prijnë procesit të zgjedhjes së rektorit.

Ata nuk guxojnë të jenë ʼsehirxhinjʼ dhe të lejojnë grupacione politike apo interesash të tjera, të vendosin për eprorin trevjeçar të tempullit të dijes. Studentët përmes parlamentit studentor të organizojnë me kohë panele diskutimi me tema që lidhen me procesin zgjedhor, si, p.sh. “Si të zgjidhet rektori: nevojat dhe mundësitë për rishikimin e një përfshirje sa më të madhe në procesin zgjedhor”, e të ngjashme. Kësisoj, ata do jenë më afër vetë procesit dhe do të mund të pengojnë forcat e veprimeve të padëshiruara.

Të gjitha palët apo grupet e interesit e veçmas studentët duhet të jenë shtytës për një qasje të re të menaxhimit të universitetit. Qasje kjo që projekton një universitet efiçent në kosto, të pavarur në menaxhim, me burime diverse dhe të qëndrueshme, që vendos vetë për programet, pagat, stafin, shpenzimet dhe kombinon fakultete “që sjellin para” me fakultete “që hanë para”?

Qasja e re duhet të tregojë nëse do vazhdohet me modelin e centralizimit të pushtetit, kompetencave dhe autoritetit në duart e një apo disa personave? Qasje kjo që kërkon qartë tʼi thuhet ʼstopʼ mënyrës së menaxhimit ku rektori është kërthiza e universitetit, dhe pa firmën, dijeninë, aprovimin e pëlqimin e tij nuk bëhet asgjë. Duhet t’i themi jo qasjes që autoriteti të qëndrojë në struktura fiktive-inefiçiente si senati universitar, drejtoria rektoriale, këshilli i universitetit apo të ngjashme.

Por të bëhet një shpërndarje vertikale dhe horizontale e decentralizuar e vendimmarrjes, me kompetenca dhe mekanizma kontrolli të mirëpërcaktuara, ku njësia bazë të jetë departamenti që do jetë antipod i gjendjes së sotme ku departamenti është thjeshtë një “stacion i fundit” me ca udhëtarë që quhen “pedagogë” apo “lektorë”.

Qasja e re duhet të na tregojë nëse e duam universitetin kështu siç është, ku studenti diplomohet për juridik dhe punon si kamerier; ku programet mësimore dhe njësitë akademike ose kanë lidhje të lodhura me tregun ose nuk kanë lidhje fare; ku ekspertiza e profesoratit jo vetëm që mbetet e largët qoftë në raport me botën akademike dhe komunitetin shkencor, qoftë në raport me tregun, shoqërinë, ekonominë, politikat publike, qeverisjen, por edhe vetë kredencialet shkencore, titujt akademikë, aftësitë për të bërë shkencë teorike apo aplikative i ka të dyshimta, problematike?

… Apo duam një universitet që funksion në mënyrë akademike dhe se është fleksibil nga pikëpamja e programeve mësimore, ngulmon për mësimdhënie cilësore, investohet në avancimin e kapaciteteve shkencore dhe aplikative, e tëra kjo, në përputhje me dinamikat e zhvillimit për të qenë jo “ndjekës”, por “paraprirës” i ndryshimeve në sferat e gjithmbarshme të shoqërisë sonë.

Ky shkrim nuk ka për qëllim të katapultojë kritika të pabaza jo dashamirëse, përkundrazi, qëllimi është të kontribuojë sado pakëz në parapërgatitjen e procesit të zgjedhjes para se të gabohet sërish. Synimi ynë është të përcaktohen dy dimensione të rëndësishme të seleksionimit. E para për ta pyetur pretenduesin për rektor se çfarë ofron ? Çfarë ka ndërmend të bëjë me universitetin tre vitet e ardhshme dhe e dyta për ta vlerësuar a thua vallë është i nevojshëm ndryshimi i praktikave të deritanishme në përzgjedhjen e rektorit, në këtë rast, të Universitetit të Tetovës.
/Tetovë, mesmars, 2021