Prokuroria do të kërkojë që Muhamed Zekirit t’i vazhdohet masa e paraburgimit

Prokurorja Katerina Kolareviq do të dorëzojë kërkesë për vazhdimin e masës së paraburgimit për ish-sekretarin e përgjithshëm të Qeverisë, Muhamed Zekiri.

Ndërsa brenda katër ditëve do të dihet nëse kërkesa do të pranohet ose jo, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Reklame

Gjatë muajit, Zeqiri ka dhënë deklaratë para prokurores, si i dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ai ka mohuar fajësinë ndërsa janë dëgjuar edhe disa dëshmitarë tjerë të cilët kanë njohuri për furnizimin publik të nënshkruar nga Zekiri.

“Prokurori kompetent e udhëheqë procedurën hetimore kundër personit për të cilin keni shfaqur interes dhe dy persona tjerë të pakapshëm për organet e rendit. Në periudhën e fundit janë dëgjuar një pjesë e dëshmitarëve, ndërsa edhe i dyshuari ka dhënë deklaratë para prokurorit. Po ndërmeren edhe veprime tjera për zbardhje të rastit. Sa i përket kërkesës për vazhdim të masës për paraburgim, duke patur parasysh se masa e parë përfundon më 8 maj, Prokuroria do të kërkojë që e njejta të vazhdohet”, thonë nga Prokuroria për A1on.

Nëse pranohet të vazhdohet paraburgimi, ai në Shutkë do të qëndrojë edhe një muaj tjetër. Zekiri u ankua në Gjykatën e Apelit por prej atje e konfirmuan vendimin e gjykatës penale./Telegrafi