Promovohet monografia për Radushën

Advertisment

Promovohet monografia “Radusha, qytezë nën hijen e historisë” (Gjurmëve të një monografie), e autorit Ekrem Ebibi

Në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve- Shkup u bë promovimi i monografisë “Radusha, qytezë nën hijen e historisë” (Gjurmëve të një Monografie), e autorit Ekrem Ebibi, i cili aktualisht është ambassador i Maqedonisë së Veriut në Bosnjë – Hercegovinë.
Promovimin e përshëndeti drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve- Shkup, Dr. Skender Asani, i cili u shpreh se ka shumë pak monografi për vendbanimet shqiptare si kjo për Radushën, andaj ITSHKSH-ja në të ardhmen do të bëjë përpjekje konkrete dhe angazhime serioze që të prodhojë sa më shumë monografi për qytetet e ndryshme, por edhe fshatrat shqiptare, duke vjelë material arkivor nga terreni dhe duke e sistematizuar të njëjtin sipas parametrave dhe standardeve bashkëkohore metodologjike shkencore.

Reklame

Në fjalën e tij autori Ebibi theksoi se “Radusha, qytezë nën hijen e historisë” (Gjurmëve të një monografie) si libër monografik doli në dritë falë bashkëfinancimit të Shoqatës Kulturore Humanitare “Radusha” me seli në Berlin dhe asaj në Radushë, U mundova të vë në spikamë historikun dhe ndodhitë karakteristike për Radushën nga lashtësia deri më vitin 2000. Baza e monografisë ishte gati po at vit, por fatkeqësisht nuk u jetësua.“
Më tej autori Ebibi u shpreh se “Nuk mund të flitet për Radushën pa përkujtuar aspektin ekonomik, kulturor, edukativo-arsimor, sportiv dhe shëndetësor që ofronte Xeherorja e Radushës. Udhëtimi në dimensionin kohor në hapësirat e Radushës nga ata që e kanë përjetuar është mbresëlënës, inspirues dhe fascinues.

Përpos rëndësisë së arkivimit zyrtar të materialeve dhe dokumentacionit arkivor, grumbullimi i materies shumëvjeçare në një dokument të veçantë, do të mundësoj analizë të detajuar dhe objektive për punën e sistemit lokal dhe vendor, ndërsa për gjeneratat e ardhshme jo vetëm që ofron dëshmi për njohjen e një periudhe aktuale por edhe mundësi për kompilim historiografik të një monografie të plotë të pushtetit në fjalë, respektivisht paraqet pretekst dhe provokim për një punim serioz shkencor.”
Ndërsa recensenti i kësaj vepre monografike, Dr. Sefer Tahiri në fjalën e tij u shpreh se monografia përmban të dhëna mbi fiset dhe brezat ndër shekuj,por përmban të dhëna edhe mbi krerët e Bashkësisë Lokale të Radushës, kontributi i të cilëve që ky fshat të jetë më modern dhe me infrastrukturë të zhvilluar është për tu vlerësuar lartë, ndër të cilët veprimtarë është edhe autori i monografisë, qoftë nga pozicioni i Bashkësisë Lokale, qoftë nga pozicioni i Komunës së Kondovës, e cila deri në vitin 2004 ishte njësi më vete e vetëadministrimit lokal.

“Ekrem Ebibi si një “gjeolog” hulumtues mëton të gjurmojë sa më thellë mbi këtë vendbanim. Bëhet fjalë për vendbanim, i cili për kah shtrirja natyrore bart mbi vete strukturën identitare të shqiptarëve, diversitetin që e rrethon, pluralitetin rajonal identitar, por të padiskutueshën të njësuar etnokulturor. Kjo meqë Radusha ndodhet në trekëndëshin identitar, e kufizuar me identitetin rajonal të shqiptarëve të Pollogut dhe të Dërvenit të Shkupit, por edhe me atë të shqiptarëve të Kosovës, duke qenë se ndodhet vetëm pak kilometra në afërsi të shtetit kosovar.”, tha Tahiriduke shtuar se libri i autorit Ebibi është një vepër shkencore që përmban të gjitha tiparet e një monografie, pasi në faqet e saj sjell të kaluarën historike, të lashtë dhe të afërt, duke i prezantuar periudhat e ndryshme historike përmes emrave të përveçëm, pjesëmarrës aktiv dhe kontribues në cikle të ndryshme historike.