#

Në Europën Lindore, numri i personave të prekur nga COVID-19 dhe vdekjeve është dukshëm më i vogël se në pjesën perëndimore të kontinentit të vjetër.

Fenomeni i vënë re në vendet ish komuniste ka tërhequr vëmendjen e kërkuesve. Ata janë përpjekur të gjejnë një shpjegim. Në krye të listës, është vaksina e tuberkulozit.
“A është e mundur që kjo vaksinë një shekullore të forcojë sistemin imunitar kundër koronavirusit të ri?”, është titulli i një shkrimi në revistën Science. Vaksina, e njohur si BCG (Bacillus Calmette-Guérin), është vërtet 100 vjeç, dhe është përdorur në mënyrë të pabarabartë në pjesën lindore dhe atë perëndimore të Europës.

Sipas Prof. Dr. Lyubima Despotova, presidente e Shoqatës Bullgare për Kujdesin Afatgjatë dhe Mjekësinë Paliative, harta e përhapjes së COVID-19 ka një lloj lidhje me atë të politikës së vaksinave. Vendet që kanë braktisur BCG aktualisht janë në mesin e epidemisë dhe janë goditur shumë.

Despotova përmendi shembullin e Gjermanisë – pjesa lindore e së cilës është tre herë më pak e prekur nga sëmundja sesa ish Gjermania Perëndimore. Po kështu edhe Portugalia, që e ka praktikuar vaksinimin BCG, është shumë më pak e prekur se Spanja. Një rreze e lehtë shprese buron sipas saj nga fakti që vaksinimi kundër tuberkulozit ka qenë i përhapur në vendet në zhvillim.

I takon shkencëtareve tani që ta vërtetojnë këtë teori, ose ta rrëzojnë atë. Një arsye tjetër mund të jetë dhe fakti që popullsia në Europën Lindore është më e disiplinuar në respektimin e rregullave të izolimit.

Top Channel