Pushime edhe për të pavaksinuarit në BE? Merkel optimiste

Kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh optimiste se do të gjendet një zgjidhje që edhe personat e pavaksinuar, apo që nuk kanë pasaportën e vaksinimit anti-Covid do të mund të kryejnë pushime këtë verë në Europë.

Merkel foli gjatë një samiti informal të udhëheqësve të BE të zhvilluar online.

Reklame

“Jam optimiste, që në përgjithësi do t’ia dalim. Se kur do të jetë e mundur kjo, nuk mund ta them ende”, tha kancelarja.

Merkel më tej theksoi, se Gjermania është duke dalë edhe nga vala e tretë e infeksionit dhe paralajmëroi hapje të mëtejshme në zonat ku gjendja paraqitet më pozitive.

Në samit është diskutuar edhe për pasaportën e vaksinimit. Teknikisht të gjitha vendet e Bashkimit Europian thonë se janë në gjendje që të pajisin qytetarët e tyre më këtë pasaportë, por ka ndasi në lidhje me njohjet reciproke dhe llojet e vaksinave për të cilat do të jepet kjo pasaportë, pasi vende të caktuara, si Hungaria kanë vaksinuar njerëz edhe me vaksina ruse e kineze.

Pavarësisht se çfarë do të ndodhë në pjesën tjetër të Europës, Gjermania vetë ka lehtësuar masat shtrënguese për personat që e kanë kaluar dhe ata që janë vaksinuar nga Covid. Udhëzimet e vendosur së fundi nga Bundestagu hynë në fuqi këtë të diel.
Për të vaksinuarit dhe të shëruarit këtej e tutje shfuqizohen kufizimet sa i përket daljes dhe kontakteve, po ashtu këto aktivitete vlejnë edhe për ata që paraqesin një rezultat negativ të testit ndaj koronavirusit.