Qani Nesimi: Zoti ua faltë gjynahet viktimave, varrin ua bëftë bahçe xheneti

Myftiu i Tetovës, Qani Nesimi ka pasur fjalim në ngjarjen ku u shpreh ngushëllime për viktimat e 8 shtatorit dhe mirënjohje për shërbimet e shpëtimit.

Luti Zotin që vendi të mos përjetojë ngjarje si ajo e 8 shtatorit, ku nga zjarri që shkrumboi Qendrën Kovid, humbën jetën 14 persona.

“Më lejoni që të falënderoj Zotin për forcën që na e ka dhënë të gjithëve, që të kemi mundësi për t’u menaxhuar edhe kur jetojmë në një situatë të qetë, që na ka dhënë forcën që të menaxhojmë edhe në situata të krizës edhe në katastrofa që na ndodhën si ky rast në mbrëmjen e 8 shtatorit. Dashtë Zoti të mos na përsëriten herë tjera. Dua të lutem që ata që kanë vdekur në spitalin modular, që Zoti atyre t’ua fal gabimet – gjynahet dhe atyre t’ua bëjë varrin një bahçe xheneti. Lutem që vdekja e tyre të mos ketë qenë ashtu si ne e kemi parë situatën, por ajo të kishte ndodhur në situatë shumë më të lehtë dhe shumë të ëmbël”, tha Nesimi, transmeton TV21.

Ka shtruar lutjen që familjarët e viktimave të bëhen të fortë, t’i kujtojnë dhe asnjëherë të mos i mërzisin në varret e tyre.

“Në emër të Myftinisë të gjithë do t’u shpreh ngushëllime për ata që sot nuk jetojnë dhe dashtë Zoti që askund në botë dhe as te ne të mos ndodhin fatkeqësi të tilla”, tha më tej Nesimi.