Qendra e re Klinike mbetet në letër!

Qeveria dhe opozita mbeten në qëndrime jashtëzakonisht të kundërta për çështjen e Qendrës Klinike.

Në diskutim janë dy koncepte të ndryshme dhe çmime të ndryshme: Qeveria propozon ndërtimin e Qendrës së re Klinike në lokacion tjetër, ndërtimi i së cilës do të kushtonte 500 milion euro, ndërsa VMRO-DPMNE përkushtohet për ndërtimin e qendrës Klinike ekzistuese, projekt tre herë më i volitshëm dhe më funksional.

“Propozimi i VMRO-DPMNE-së është të ndërtohet Qendra Klinike ‘Nëna Terezë’, në përputhje me studimin dhe planin e Bankës investitore Evropiane, dhe në bazë të së cilës shteti mori dhe kredi prej 70 milion euro, ndërsa i gjithë do të kushtonte rreth 120 milion euro.

Ai është në sipërfaqe prej 17 hektarë, dhe përbëhet prej 32 subjekteve të pavarura me personel të përgjithshëm prej 3400 persona, nga të cilët 2300 persona mjekësorë dhe 1100 persona të personelit administrativ dhe teknik.

Në kompleksin e klinikave në nivel vjetorë kalojnë më shumë se 800.000 vizitorë, përkatësisht rreth 2200 vizitorë në ditë. Blloku i ri i Klinikës është projektuar me 855 krevate, nga të cilët 720 krevate për kujdes spitalor, 101 krevate për funksione diagnostike, kujdes intensiv dhe rehabilitim dhe 34 krevate në spitalet ditore”, sqarojnë nga VMRO-DPMNE.

Përveç kësaj propozojnë edhe Qendër të re Klinike në Karposh dhe bashkimin e saj me Spitalin ushtarak “8 shtatori” dhe poliklinikën “Bukuresht”. “Do të përshtatet edhe toka mes atyre dy spitaleve, ndërsa përparësi është që ka lidhje me dy bulevardet, ka sistem të toplifikimit, por edhe gasifikimi kalon atje.

Do të shfrytëzohet edhe infrastruktura ekzistuese. Kështu do të fitohen dy qendra klinike.

Plani i VMRO-DPMNE-së është që të bëhet edhe dispersioni, bërja e disa qendrave klinike në tërë shtetin. Fokusi kryesorë është të investohet në dije dhe mëndje. Propozimi është bërë me emra të njohur të mjekëve dhe profesionistë të shkencave mjekësore”, potencojnë nga partia.

Nga ana e liderit të partisë Hristijan Mickoski ky plan i është prezantuar kryeministrit Zoran Zaev në takimin që kanë pasur më 29 mars në Klubin e Deputetëve. Kryeministri atëherë shprehu interes, kërkoi që ti dorëzohet projekti dhe e mori, por deri më sot Mickoski nuk ka marrë përgjigje nga Zaevi. Pikërisht në atë takim, u duk se shumë nga mosmarrëveshjet janë tejkaluar, të dy u dakorduan për prolongimin e regjistrimit për në shtator, të zgjedhjeve lokale për në pjesën e dytë të tetorit, por edhe për debllokimin e ligjeve në Parlament, mes të cilave ishte edhe propozim ligji për qendrën e re klinike universitare.

Nga VMRO-DPMNE potencojnë se ata flasin për projekt serioz me plan që përmban qindra faqe, për dallim nga pushteti që nuk ka projekt themelor për ndërtim, por vetëm studim fizibiliteti prej 35 faqeve. Sipas partisë opozitare, është jo serioze të kërkohet hua prej gjysmë miliardë euro për projekt që nuk ekziston, sidomos që në ato mjete nuk përfshihen edhe harxhimet shtesë për rrugë të qasshme, furnizim energjetik, infrastrukturë e gazsjellësit, ujë, kanalizim etj, me çka çmimi mund të arrin deri më 550 ose 600 milion euro.

PROPOZIM: OPOZITA TË UDHËHEQË PROJEKTIN!

Opozita në vazhdimësi rikujton se qeveria e kaluar e VMRO-DPMNE-së ka pasur projekt të përfunduar dhe mjete të siguruara për të njëjtën, por që e ka stopuar LSDM kur erdhi në pushtet dhe premtoi se do të ndërton Qendër të re Klinike, por deri më sot mbeti vetëm si premtim.

Nga ana tjetër, kryeministri Zoran Zaev, në një intervistë javë më parë për gazetën KOHA tha se projekti i qendrës klinike është një gjë e përbashkët e të gjithëve, ndërsa shtoi se rolin e kontrollorit do të ia lënë opozitës. “Qendra klinike është një gjë e përbashkët e gjithë neve, e para mendojë e përbashkët e pushtetit dhe opozitës, e gjithë qytetarëve, ne nuk kemi qendër klinike tjetër, një kemi në shtet dhe një tjetër do të kemi në të ardhmen. Kemi gjetur një lokacion shumë të mirë e cila është afër rrethrrotullimit.

Tani VMRO-DPMNE jep disa sugjerime, ne i thamë OK, jepni dhe përpunoni brenda, le ta ketë rolin e kontrollorit opozita, ne kemi ministër të shëndetësisë, le të kontrollojnë komplet ata, le të kenë shumicë në vendosje, vetëm të jemi bashkë. Dhe pastaj bukura në fund si krem i tortës është që gjysma e parave, ose 250 milion euro grant i jep Bashkimi Evropian. 250 milionë janë tonat”, ka deklaruar për KOHA, javë më parë kryeministri Zoran Zaev. (koha.mk)