Qeveria e re, partitë pa detaje për negociatat

Advertisment

Partitë politike nuk zbardhin detaje nëse kanë formuar ekipet negociatore për koalicion e ri qeveritar e as nëse kanë biseduar për këtë çështje me partitë e tjera. Socialdemokratët, që sipas rezultateve preliminare, do të kenë mandatin për formim të Qeverisë së re, thonë se do të pushojnë deri më 2 gusht dhe se për këtë çështje do ta njoftojnë opinionin pas festës së Ilindenit.

LSDM: “Deri më 2 gusht do të ketë pauzë, pastaj do të ju njoftojmë për çdo moment të ri..”

Reklame

VMRO DPMNE-ja e konsideron veten fituese legjitime të zgjedhjeve dhe paralajmëron negociata për formim të qeverisë, por as kjo parti nuk jep detaje.

Ne siç kemi thënë dhe siç ka paralajmëruar edhe kryetari, Mickoski para mediave dhe qytetarëve do të përpiqemi të formojmë qeveri, por nuk dua të hyj në detaje tani, pasi ky është një proces që do të zgjasë dhe nuk do të doja të prishja karakteristikat e këtij procesi”-tha Dimçe Arsovski, VMRO DPMNE.

BDI është shprehur e hapur për negociata me të gjitha partitë e tjera, duke theksuar se ideja e tyre për kryeministër shqiptar do të jetë një nga temat e bisedimeve, por pa përjashtuar variantet e mundshme alternative, si ajo për kryeministër me rrotacion. Gjithsesi kjo parti ishte e pakapshme sot për të konfirmuar nëse është kontaktuar nga dikush. Koalicioni ASH Alternativa, ashtu si dhe PDSH-ja thanë se nuk janë kontaktuar ende për këtë çështje, duke vlerësuar se do të ishte herët të flitej për qeverinë derisa rezultatet e zgjedhjeve të definohen përfundimisht. Ndërkohë sipas rezultateve preliminare koalicioni LSDM-Besa ka fituar 46 mandate deputetësh, VMRO DPMNE-ja 44, BDI-ja 15, ASH Alternativa 12, E majta 2 dhe PDSH një mandat.