Qytetarët, dilema për pushimet verore

Pushimet verore në bregdet këtë vit për shumë qytetarë do të mbeten dëshirë e parealizuar. Për shkak të krizës ekonomike, qytetarët thonë se mezi ia dalin t’i paguajnë faturat dhe t’i blenë produktet bazë.

“Jo jo, për bukë nuk ia dalim dot e jo në det të shkojmë. Rëndë është bë vërtetë katastrofë rëndë është, me 2-300 euro çka mund të bësh. Faktuarat s’mund t’i mbërrijmë e jo tjerat, kanë hip çmimet, rryma vaji ushqimet e jo në det që nuk vjen në shprehje aspak”, tha një banor.

Reklame

“Problem sivjet shumë madje, s’ka para, s’kanë njerëzit para. Shtrenjtimi madh s’mbërrihet asgjë”, tha një tjetër banor.

“Sivjet as që e mendojmë detin, kështu siç është edhe idareja dobët do jetë e jo tjerat, e kemi harru detin. Është duke u bë më keq, njëzet mijë denarë rrogë marr për asgjë nuk del”, u shpreh një banor.

Agjencitë turistike nga ana tjetër thonë se prapëseprapë interesimi është më i madh në krahasim me dy vitet e fundit. Turqia dhe Shqipëria janë destinacionet e preferuara.

“Në krahasim me dy vitet e fundit sivjet ka pak përmirësim, kërkesa është pak më e madhe se vitet tjera, është pak për t’u çudit. Sa i përket kërkesës destinacion më i kërkuar është Turqia, pastaj vjen Shqipëria dhe Mali i Zi”, deklaroi Xhemaledin Demiri, Menaxher i Agjencisë turistike.

Ndërkaq ata që nuk ia dalin dot për të blerë aranzhimet turistike sivjet, kanë zgjedhur të frekuentojnë pishinat e vendit, të cilat, për vetëm 150 denarë, ofrojnë qëndrim ditor në to.

“Ka pak ndikim kriza, po çmimet nuk i kam ndryshuar. …Kjo biletë vlen për tërë ditën. Vazhdojmë me këto çmime që tua mundësojmë të rinjve me pak para të kalojnë pushimet verore”, tha Zeqir Idrizi, pronar pishine.

Çmimet e aranzhimeve për bregdetin turk dhe shqiptarë, sivjet variojnë nga 250 euro për shtatë ditë për një person, deri në ata super luksoze, që janë 5 000 euro për një person për shtatë ditë.