Rakia e Erdoanit hallet e agjentëve të Londrës e Kleopatra ‘maqedone’

Advertisment

Nga Enver Robelli

Pse vdiqën 45 njerëz në Turqi, pse rrugët e kryeqytetit britanik janë të boshatisura dhe pse egjipianët edhe pas 2050 viteve duan të mbrojnë Kleopatrën?

Reklame

45 të vdekur!

Rexhep Taip Erdoani thotë: ajrani është “pije nacionale e Turqisë”, jo jeni-rakia. Shumë turq mendojnë ndryshe. Ata e përziejnë jeni-rakinë me ujë e akull dhe e shijojnë. Por në shijen e turqve rakidashës prej vitesh përzihet Erdoani, duke rritur çmimin e rakisë. Ata që s’kanë para për të blerë rakinë e shtrenjtë, e përgatisin vetë. Ne fillim të tetorit në Turqi vdiqën 45 veta për shkak se kishin pirë alkool të përzier me substanca të gabuara (etanol, deterxhente etj.) Vetëm në krahinën e Izmirit, e njohur për stilin liberal të jetesës, vdiqën 18 veta nga pija e helmët. Erdoan prej vitesh po përpiqet të kufizojë konsumimin e pijeve alkoolike. Përveç shtrenjtimit qeveria ka vendosur të ndalojë shitjen e alkoolit në rrugë pas orës 22. Një shishe raki shpesh kushton rreth 20 euro. Rroga minimale në Turqi është 280 euro.

Ditë të vështira për agjentët britanikë!

“Regnum defende” – mbroje Mbretërinë. Kjo është motoja e agjentëve të MI5. Kështu quhet shërbimi i brendshëm sekret i Britanisë së Madhe. Por si të mbrohet Mbretëria, si të vëzhgohen, përcillen e mbikëqyren armiqtë e Monarkisë kur rrugët e Londrës janë pothuaj të zbrazëta për shkak të koronës. Shefi i MI5 Ken McCallum tha se “mendja e shëndoshë” ia bën me dije secilit se “survejimi nuk është punë aq e lehtë kur rrugët janë të zbrazëta”. Kjo deklaratë ka cilësi të humorit britanik. Masat kufizuese kanë kufizuar edhe lirinë e lëvizjes së terroristëve potencialë. Ata me gjasë kërkojnë rrugë të reja për të kryer sulmet e tyre vdekjeprurëse, ndërsa agjentët do të gjejnë mënyra të reja për t’i penguar në misionin e tyre krimininal.

Egjipti i zemëruar!

Patty Jenkins është regjisore amerikane. Projekti i saj më i ri: një film për Kleopatrën, mbretëreshën legjendare të Egjiptit, e cila ka vdekur para 2050 vitesh, por jo vetëm për njerëzit në Egjipt ajo është e paharrueshme – si gruaja që ua mori mendjen dy sundimtarëve më të njohur të kohës, Jul Çezarit dhe Mark Antonit. Në filmin e Patty Jenkins jeta e Kleopatrës synohet të rrëfehet nga perspektiva feministe. Rolin kryesor e luan Gal Gadot. Dhe këtu fillon problemi. Gadot rrjedh nga Izraeli, gjë që nuk u pëlqen fare shumë egjiptianëve. Në sferën e Twitterit shumë egjipianë kanë protestuar ditëve të fundit. Motoja e zemërimit është kjo: së pari Izraeli grabit toka arabe, tani edhe Kleopatrën. Filmat për Kleopatrën kanë një histori polemikash: Kleopatra më e njohur e Kinemasë është Elizabeth Taylor, e cila ishte konvertuar në fenë hebraike dhe është përkrahëse e Izraelit. Më 1963 filmi i saj nuk u shfaq në kinematë e Egjiptit, por pas një kohe, kur sundimtarët në Kajro panë se në film toponimi “Egjipt” përmendet 122 herë brenda 241 minutave dhe kjo është reklamë e mirë për Egjiptin, filmi, megjithatë u shfaq. Në grindjen rreth Kleopatrës mund të kyçen edhe dy popuj nga Ballkani: grekët dhe maqedonasit. Kleopatra ishte pasardhëse e strategëve maqedonas të luftës. Natyrisht maqedonasit e lashtë (antikë) s’kanë të bëjnë asgjë me maqedonët sllavë, por kush pyet për finesa të tilla kur popujt ballkanikë kacafyten për historinë.

(koha.net)