Rama në Greqi: Turqia është kyçe për sigurinë e Evropës

Advertisment

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka marrë pjesë në konferencën që po mbahet në Athinë me fokus diskutimet për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, menaxhimin e situatës nga koronavirusi i ri (COVID-19), si dhe çështje të tjera, ndërkohë në fjalën e tij u përqendrua në perspektivën evropiane të rajonit, marrëdhëniet Shqipëri-Greqi, por edhe në marrëdhëniet mes Turqisë dhe Greqisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri Rama theksoi se Turqia është kyçe për sigurinë e Evropës, dhe u shpreh se Shqipëria është në partneritet strategjik me Greqinë dhe Turqinë.

Reklame

Rama tha se Shqipëria është në partneritet strategjik me Greqinë dhe Turqinë, dhe shtoi: “por nuk e ndiej që Shqipëria është midisi dy zjarreve.”

Në lidhje me marrëdhëniet mes Turqisë dhe Greqisë dhe rolin e këtyre marrëdhënieve për Evropën, kryeministri Rama theksoi se “Unë besoj që ka absolutisht potencial në këtë marrëdhënie greko-turke që të bëhet një marrëdhënie e cila të jetë e dobishme edhe për Evropën, sepse Turqia është kyçe për sigurinë e Evropës dhe Greqia është absolutisht kyçe për kufijtë e Evropës. Çfarë mund të them pa asnjë dyshim, presidenti turk nuk është një person antigrek apo politikan antigrek dhe nuk ka dyshim që e shkuara ka treguar këtu që kur ka një vullnet ka një zgjidhje. Dialog, dialog, dialog, pa ua lënë tjerëve, pa sjellë tjerë, thjesht dialog i mirëfilltë. Asgjë nuk është e lehtë, por është absolutisht e mundur dhe jam 100 për qind i bindur që marrëdhëniet konstruktive greko turke mund të jenë një vlerë e shtuar për të gjithë Evropën”

Konferenca në kryeqytetin grek organizohet nga revista “The Economist” në bashkëpunim me Qeverinë e Greqisë.

Dje Rama gjatë qëndrimit në Athinë u takua me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis. Kujtojmë se negociatat zyrtare mes Greqisë dhe Shqipërisë që filluan në vitin 2018 për kufizimin e zonave detare janë ndërprerë dhe ende nuk ka një marrëveshje përfundimtare mes vendeve.