Raporti Botëror i Drogave 2022: Shqipëria, e shtata në botë për kanabisin

Në raportin e fundit botëror për drogën një publikim i UNODC, zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimet, Shqipëria përmendet si një nga vendet kryesore në botë të kultivimit të kanabisit .

Sipas raportit, Shqipëria është e shtata në botë nga shtetet më të përmendura për origjinën, nisjen dhe tranzitin e barit të kanabisit për periudhën 2016-2019, (nga 154 shtete gjithsej) pas Marokut, Afganistanit, Spanjës. Holandës, Pakistanit dhe Libanit

Raporti thekson se kanabisi prodhohet ilegalisht në çdo rajon në botë. Kultivimi i kanabisit u raportua ose përmes treguesve direkte (si kultivimi apo asgjësimi i bimëve, ose asgjësimi i fushave të mbjella) ose tregues indirektë (sekuestrimi i bimës, raportet mbi origjinën e kanabisit të sekuestruar) nga të paktën 154 shtete për periudhën 2010–2020.

Shqipëria përmendet edhe në të ashtuquajturën rrugë të Ballkanit për heroinën, që fillon nga Pakistani, kalon nëpër Siri, Turqi, Greqi, Shqipëri dhe përfundon në vendet e Europës Perëndimore.

Një tjetër raport, i publikuar së fundmi nga Qendra Europiane për Monitorimin e Drogave (EMCDDA) rreth një muaj më parë, konstatonte se grupet kriminale shqiptare, që prej vitit 2017 jo vetëm që janë zgjeruar, por edhe janë sofistikuar, duke kontrolluar si importin ashtu dhe shpërndarjen e kokainës nga vendet e Amerikës Latine në tregjet europiane.

Sipas raporti të UNODC, legalizimi i kanabisit në pjesë të botës duket se ka përshpejtuar përdorimin e përditshëm dhe ndikimet e lidhura me shëndetin. Raporti detajon gjithashtu rritjet rekord në prodhimin e kokainës, zgjerimin e drogave sintetike në tregje të reja dhe mangësitë e vazhdueshme në mekanizmat e trajtimeve të drogës, veçanërisht për gratë.