Rastet e mpikjes së gjakut, edhe Gjermania pezullon vaksinat “AstraZeneca”

Pas Italisë, Danimarkës e disa shteteve të tjera, edhe Gjermania pezullon përdorimin e vaksinave të prodhuara nga “AstraZeneca”.Lajmin e ka dhënë këtë të hënë Ministria Federale e Shëndetësisë e cila i referohet një rekomandimi aktual nga Instituti Paul Ehrlich për ekzaminime të mëtejshme.

Më parë, kishte pasur raporte të trombozës cerebrale pas kryerjes së vaksinës. Prandaj, Instituti Paul Ehrlich i konsideron të domosdoshme hetimet e mëtejshme.

Sipas “Bild”, Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) do të vendosë “nëse dhe si do të ndikojnë gjetjet e reja në miratimin e vaksinës”, tha një zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë, raporton Ora News.

Të enjten, Danimarka pezulloi vaksinën duke iu referuar disa rasteve të mpiksjes së rëndë të gjakut. Kjo u pasua nga Norvegjia, Islanda dhe vendet e BE Bullgaria, Irlanda dhe të dielën në mbrëmje, Hollanda.

Ndërkohë, Shqipëria nisi fushatën e vaksinimit te mësuesit pikërisht me këtë vaksinë.

Nga nisja e pandemisë, Gjermania numëron 2,579,992 të infektuar dhe mbi 73 mijë viktima.