Rastet e sotme me Covid-19 në Tetovë janë të moshës prej 20 deri 40 vjeç

Numri më i madh nga 18 të infektuarve në ditën e sotme me Covid-19 në rajonin e Tetovës janë të rinj të moshës prej 20 deri në 30 vjet dhe prej 30 deri në 40 vjet, informuan nga Qendra për shëndet publik në Tetovë.

Nga 18 raste numri më i madh janë në Komunën e Tetovës, ku ka 12, ndërsa tre janë në Tearcë. Nga një të infektuar janë evidentuar në komunën e Jegunovcës, Bërvenicës dhe Zhelinës, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Reklame

“Të rinjtë të cilët janë infektuar janë pjesë edhe të skriningut të njerëzve pa simptoma, por edhe ka edhe të diagnostifikuar të rinj, të caktuar për marrje të brisit nga mjekët amë në ‘Termini im’ ose përmes epidemiolgëve të marrë nga ana jonë. Numri i madh i të rinjve të infektuar me siguri kanë pasur lidhje me hapjen e restoraneve, kafeneve, numri i madh i njerëzve para bankave dhe postave dhe për shkak të mosmbajtjes së distancës dhe maskës”.

“Nuk do të thotë se ne duhet përjetësisht të jemi të mbyllur në shtëpitë tona, përkundrazi duhet të mësohemi të jetojmë me virus, por çdoherë t’i përmbahemi masave. Sa më shumë i përmbahemi masave do të ketë numër më të vogël të të infektuarve”, tha Naim Skenderi, specializant për epidemiologji pranë Qendrës për shëndet publik në Tetovë.

Ditëve të fundit nuk ka fëmijë të infektuar me Covid-19 në rajonin e Tetovës./Telegrafi/