Rastet me koronavirus në Kosovë vazhdojn të rriten, 195 raste gjatë 24 orëve

Advertisment

Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë bërë të ditur se 4 persona tjerë të prekur nga koronavirusi i ri (COVID-19) kanë ndërruar jetë duke e çuar në 79 numrin e të vdekurve nga ky virus, transmeton Anandolu Agency (AA).

Të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) bëjnë të ditur se 195 raste të reja janë diagnostikuar pozitiv me koronavirus, duke bërë që ky numër rekord i të infektuarve që nga përhapja e virusit në Kosovë, të çojë në 3.703 numrin e përgjithshëm të tyre.

Reklame

Rastet pozitive janë nga komuna të ndryshme të Kosovës, nga të cilat me numër më të madh janë regjistruar në komunën e Prishtinës.

Në 24 orët e fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK janë testuar gjithsej 429 mostra të dyshuara me COVID-19 ndërsa nga data 8 shkurt e këtij viti deri më tani janë testuar gjithsej 25.674 mostra.

Sa i përket numrit të të shëruarve, këto të dhëna bëjnë të ditur për 44 pacientë të rinj të shëruar, ndërsa numri i tyre ka shkuar në 1.946 raste.

Nga 6 korriku Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për kthimin e disa prej masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Qytetarëve u ndalohet qarkullimi i lirë nga ora 21 e mbrëmjes deri në orën 5 në mëngjes. Po kështu në këtë orar nuk ka të drejtë të punojë as gastronomia, ndërsa transporti publik duhet të punojë me kapacitete të përgjysmuara.