Rasti i 33 vjeçarit nga Haraçina nuk ishte në statistikat ditore të Covid-19

Rasti i vdekjes së 33-vjeçarit, i cili ishte i infektuar nga Covid-19, nuk figuroi mes viktimave në raportin ditor që dërgohet nga Ministria e Shëndetësisë për gjendjen me Covid-19 në 24 orët e fundit në Maqedoninë e Veriut.

TV21 pyeti në Ministrinë e Shëndetësisë, se pse ky rast nuk është evidentuar në raportin e sotëm, nga atje na thanë se në raportin që dërgohet nga Klinika Infektive figuron rasti i 33-vjeçarit, por se nuk është regjistruar në raportin që Instituti i Shëndetit Publik e ka dërguar deri te Ministria e Shëndetësisë.

“Ne e publikojmë raportin siç e dërgojnë nga Instituti i Shëndetit Publik, për këtë nuk ndërhyjmë fare në të dhënat që dërgohen nga ata”, thanë nga MSH-ja për TV21.

Për sqarim na drejtuan deri te Instituti i Shëndetit Publik.

Nga Instituti të cilët gjatë ditës rastin e vdekjes së 33-vjeçarit e konfirmuan për TV21, thanë se nesër do të japin sqarime.

“Do të shohim nesër”, thanë nga Instituti.

Megjithatë, si Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti e konfirmojnë rastin e vdekjes së 33-vjeçarit.

Por, në raportin ditor të Covid-19 për 24 orët e fundit, qëndron se në tërë territorin e vendit janë regjistruar 21 viktima. Viktima më e re njoftohet, se se është i moshës 50-vjeçare.

“Është raportuar se jetën e kanë humbur gjithsej 21 persona, të moshës nga 50-90-vjeçare dhe atë: 6 persona nga Shkupi, nga dy në Prilep, Ohër, Strugë dhe Gjevgjeli dhe nga 1 viktimë është regjistruar në Kumanovë, Gostivar, Strumicë dhe Resnjë”, thuhet mes të tjerash në njoftimin e MSH-së.

Përndryshe, 33-vjeçari ndërroi jetë mbrëmë në Klinikën Infektive. Nuk ka pasur sëmundje të tjera shoqëruese dhe në klinikë ishte shtrirë më 15 mars.