Reali kërkon Eriksenin, Tottenham i vë çmim “të kripur”

53

Reali i Madridit ka hedhur sytë nga Londra, sa i përket merkatos së futbollistëve. Skuadra madrilene ka vënë në shënjestër mesfushoruin danez, Christian Eriksen, kontrata e të cilit me Tottenhamin skadon në vitin 2020, e që nuk e ka rinovuar ende.

Klubi madrilen ka ruajtur raporte të mira me drejtuesit e Tottenhamit, që nga momenti kur bleu nga kjo skuadër Gareth Bale, ndaj dhe ka shfaqur tashmë interesin për Eriksen. Por, pronari i “Hotspurs”, Daniel Levy i është përgjigjur duke kërkuar 250 milionë euro për kartonin e mesfushorit, që do ta bënte atë futbollistin më të shtrenjtë të botës.

Një kërkesë e tillë, sigurisht që e shtangu Realin e Madridit, që gjithsesi ka ende një faktor në favorin e tij: faktin që futbollisti nuk ka arritur ende një akord me Tottenhamin për zgjatjen e kontratës.

Në zyrat e “Bernabeut” e dinë se, nëse futbollisti dhe drejtuesit e Tottenhamit nuk arrijnë në një marrëveshje në këtë pikë, atëherë klubi londinez do të jetë i detyruar të ulë pretendimet e tij për kartonin e mesfushorit, nën 250 milionë euro, për të mos e humbur futbollistin me parametra zero në vitin 2020.

Ndërkohë, sipas të përditshmes “Independent”, të dyja klubet i kanë lënë të hapura bisedimet për Eriksen, me Realin e Madridit që shpreson të marrë futbollistin në merkaton e verës për 111 milionë euro.