Regjistruesit sërish në terren, vazhdon procesi i regjistrimit

Katër ditë pasi qëndruar në shtëpi, sot regjistruesit u urdhëruan që të dalin në terren për të bërë regjistrimin. Me regjistruesit të cilët i takuam gjatë punën së tyre thonë se gjithçka po ec mbarë. Të kënaqur edhe qytetarët të cilët i takuam gjatë procesit të regjistrimit.

“Për regjistrimin fillimisht do të na duhen disa të dhëna bazë të anëtarëve të familjes tuaj. Na intereson sa anëtarë jeni, a i keni të gjitha dokumentet që u nevojiten. Të gjithë anëtarët tuaj a e posedojnë numrin amë që të fillojmë me regjistrimin”, tha një regjistrues.

“Jemi pesë anëtarë, tre fëmijë, bashkëshortja dhe unë. Dokumentat i kemi të gjitha në rregull, d.m.th. jemi të përgatitur”, tha një banor.

Qytetari Mujadin Arbnori thotë se është i kënaqur nga qasja dhe puna e regjistruesit.

“Sipas meje gjithçka ishte në rregull dhe shumë shpejtë. Procedura ishte shumë e shpjete dhe shumë efikase. Regjistruesi ishte korrekt dhe gjithçka ishte në rregull… Dhe i apeloj tek të gjithë që të regjistrohen. Është shumë mirë, gjithçka bëhet shpejtë”, deklaroi Mujadin Arbnori, qytetar.

Nga Enti i Statistikave, thonë se tash për tash gjithçka po shkon mirë. Megjithatë burime jozyrtare për Alsat thonë se në këtë Institucion druajnë nga sulmet e ndryshme të hakërreve të cilat ditët e kaluara kanë qenë të vazhdueshme. Në kumtesë për mediat, nga Enti mbesin në qëndrimin se kanë pasur probleme teknike.

Gjatë kryerjes së veprimeve të mëdha, duke përdorur teknologji shumë të sofistikuara, është shumë normale që të shfaqen probleme teknike që tejkalohen në kohë më të shkurtër të mundshme. Pas këtij operacioni statistikor qëndron një ekip mbështetës i ekspertëve që është vazhdimisht në dispozicion të regjistruesve dhe që ndjek procesin e regjistrimit drejtpërdrejtë në terren dhe ndërhyn në të njëjtën kohë nëse shfaqet problem – njoftojnë nga Enti i Statistikave.

Regjistrimi i popullsisë rezidente dhe amvisërive në vend, filloi më 5 shtator, por pas sulmeve të shumta të hakërreve në sistemin për regjistrim, nga Enti i Statistikave për katër ditë, në disa rajone u ndalua puna. Regjistrimi do të bëhet deri më 30 shtator. Sot po ashtu është aktiv edhe aplikacioni për regjistrim online të mërgatës i cili filloi më 1 mars dhe do të zgjas deri në fund të muajit.