Remuntada nuk përmbushet, PSG kalon në çerekfinale (VIDEO)

Remuntada e Barcelonës nuk arriti të përmbushej, me katalanasit që janë eliminuar nga Champions League nga PSG në fazën e 1/8-ave. Përballja e dytë mes dy ekipeve në “Parc des Princes” është mbyllur në barazim 1-1, me francezët që kalojnë me tej me rezultatin e përgjitshëm 5-2.

Barcelona tentoi gjithçka, por nuk arriti dot të ndizte shpresën për përmbysjen e madhe, edhe pse ajo penallti e Messit mund të kishte ndryshuar fatet e ndeshjes. Fillimisht, ishte PSG që mori avantazhin në fakt, me anë të Mbappe, që shënoi nga pika e bardhë e penalltisë.

Reklame

Një faull i Lenglet në zonë nga Icardi u pa në VAR dhe për arbitrin Taylor nuk pati diskutime, 11-metërsh për PSG. Mbappe shënoi duke i dhënë avantazhin ekipit të tij. Sidoqoftë, reagimi i Barcelonës erdhi menjëherë pas 7 minutash, ku Lionel Messi shënoi një gol të jashtëzakonshëm.

 

Argjentinasi realizoi me një silurë me të majtën e tij, duke shkundur rrjetën e PSG. Në fundin e pjesës së parë erdhi dhe rasti i artë, që mund t’i jepte një rrjedhë tjetër takimit. Griezmann fitoi një 11-metërsh dhe Messi u paraqit për ta ekzekutuar.

 

 

Ndodh shumë rrallë që Messi të humbasë penallti dhe diçka e tillë ndodhi pikërisht sot. “Pleshti” u ndal nga Keylor Navas dhe traversa dhe pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1. Në 45 minutat e dyta Barcelona duhet të shënonte 3 herë dhe të mos pësonte për ta çuar të paktën në shtesë ndeshjen.

Gjendja psikologjike e katalanasve pas 11-metërshit të humbur sigurisht që nuk është e mirë dhe të mendohet një përmbysje ishte çmenduri. Pavarësisht përpjekjeve, asnjë nga ekipet nuk arriti te goli në pjesën e dytë dhe gjithçka u mbyll në barazim 1-1, me PSG që pret biletën për në çerekfinale.