Rikthehen dasmat në lokale, restorantet në Strugë dhe Ohër të rezervuara

Edhe përkundër protokolleve të rrepta, të gjitha terminet e restoranteve në rajonin Strugë – Ohër tashmë janë rezervuar.

Sipas Shoqatës së Hotelierëve, protokollet e miratuara nga Komisioni i Sëmundjeve Infektive janë të zbatueshme, e vetmja vërejtje është numri i kufizuar i mysafirëve, sepse qytetarët e vendit dhe diaspora kanë traditë të bëjnë dasma me mbi 300 të ftuar.

“E vetmja gjë që u pengon organizatorëve nga këto protokollet është ajo që nuk mund t’i ftojnë të gjithë të afërmit e tyre. Nëse kjo masë do të ishte në Slloveni, të gjithë ndoshta do të ishin të kënaqur, por këtu ne ftojmë 100 persona në një ditëlindje, për të mos përmendur dasmat. Dasmat bëhen në një numër shumë më të madh.”,- tha kryetari i HOTAM, Kërste Blazheski.

Mërgimtarët të cilët kishin planifikuar dasmën vitin e kaluar, i kanë shtyrë datat për këtë vit dhe tani, për shkak të kapacitetit të kufizuar, nuk ka data të lira.

Në Strugë edhe përkundër pandemisë, nuk ka rënie të numrit të martesave të reja, vetëm gjatë vitit 2020 u realizuan 405 martesa.