Rita Ora: Duam ta vëmë në dukje afërsinë mes Shqipërisë dhe Kosovës

Rita Ora është pritur në një takim nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, me të cilin i kanë ftuar qytetarët që t’i bashkohen koncertit të nesërm (6 shtator), që do të festojë Tiranën si ‘Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022’.

Mes emocioneve për rikthimin në Tiranë, shqiptarja e famshme shprehu krenarinë për origjinën e saj shqiptare dhe siguroi se nuk do të ndalet së promovuari atë.

“Kur vij këtu dua të sjell me vete frymëzim dhe argëtim, dhe gjithmonë kam bërë maksimumin. Nuk ka rëndësi nga vjen, kush je, je burrë apo grua, ndjesia është e tillë që, nëse ti je krenar për prejardhjen, ajo që mund të bësh është ta bësh të njohur vendlindjen tënde”.

Rita Ora në Tiranë: Njerëzit më paragjykonin për ngjyrën e lëkurës time kur ju tregova që jam shqiptare

“E kam besuar gjithmonë këtë dhe prindërit e mi ma kanë thënë çdo herë. Unë do të vazhdoj ta bëj këtë derisa të jem gjallë. Ne duam të vëmë në dukje afërsinë mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe të bërit së bashku tregon mbështetjen tonë, për komunitetet tona”, deklaroi Rita Ora, citon Top Channel.

Veliaj e ka falënderuar Ritën për shembullin pozitiv që u jep të rinjve dhe të rejave shqiptare duke theksuar se ajo është shembulli se si përmes punës dhe sakrificës arrihen gjërat e mëdha në jetë.

Nisur nga ngjarja e dhunimit të 11-vjeçares në Kosovës, koncerti i Rita Orës do të përcjellë një mesazh sensibilizues për shoqërinë shqiptare, për të respektuar më shumë gratë dhe vajzat.