Rrëfimi ekskluziv i shqiptares së parë që punon për Facebook

29

Në kohën e avancimit të teknologjisë, e veçanërisht rrjeteve sociale, rëndom na bie shpesh të dëgjojmë për shqiptarët e famshëm jashtë vendit që kanë korrur sukses në fusha të ndryshme, kryesisht në art dhe sport. Por jo më mbrapa mund të ngelen edhe ata që suksesin e shijuan në të tjera drejtime. E tillë është shqiptarja Florentina Ferati, e cila rrugëtimin e saj jetësor dhe profesional e gjeti në fushën e inovacionit dhe teknologjisë.

Ashtu siç tashmë edhe opinioni janë të informuar, Florentina është shqiptarja e parë që ka arritur të punësohet në kompaninë gjigante, Facebook. Ajo punon në një sërë projektesh që shkojnë nga hetimet kibernetike, shqyrtimin e incidenteve dhe aplikimin e forenzikës kompjuterike deri te analiza e të dhënave dhe procesi në të cilin kërkohen, gjenden, sigurohen dhe kontrollohen të dhënat elektronike me qëllimin për t’i përdorur ato si dëshmi në një çështje civile ose penale.

Me prejardhje nga fshati Pleshinë i komunës së Ferizajit, Florentina tregon me krenari në një intervistë ekskluzive për Telegrafin mënyrën se si është rritur dhe edukuar në Kosovë, vend nga i cili falë punës dhe përkushtimit të saj ka arritur që të sigurojë biletën drejt një të ardhme të sigurt në një prej kompanive lider në glob.

Ajo jep një mesazh të fuqishëm për të gjithë të rinjtë të cilët duan të ndjekin ëndrrat e tyre, duke i inkurajuar ata të punojnë fort, pasi ky është çelësi i vetëm i suksesit…

Florentina Ferati, shqiptarja e parë që punon për gjigantin Facebook (Foto: Florentina Ferati)

Florentina, jeni ndër shqiptaret e para që keni arritur të punësoheni në kompaninë gjigante Facebook. Na trego pak rrugëtimin tënd deri këtu ku ke arritur?

Rrugëtimi im për ne Facebook filloi me studimet univerzitare qe i ndjeka ne Texas Lutheran University (TLU), një univerzitet në qytetin Seguin te Teksasit. Une isha njëra prej vetëm tre studentëve të perzgjedhur nga qindra aplikant në rajon të Kosovës për të ndjekur studimet me burse të plotë në TLU atë vit.

Një i ri nga Kosova, që po ndiqte studimet pasdiplomike në Harvard, kishte bindur universitetin e tij amë në Teksas që të niste një program bursash për Kosovën. Kështu, TLU, me angazhimin e ish-studentit të dalluar Faton Bislimi, hapi dyert për dhjetëra kosovarë të tjerë që të ndiqnin ëndrrën e tyre përmes programit “Arsimim për paqe”.

Ne veren e vitit 2008, ndër kandidatët e parë të përzgjedhur përmes një ecurie të rreptë isha une. Kjo mundesi me realizojë ëndrrën time të kah motshme për të ndjekur një edukim cilësor dhe me standarte nderkombetare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në Gusht të vitit 2008, në moshën 19 vjeçare, lash punën që kisha në kampin ushtarak “Bondsteel” dhe mora rrugën për në Teksas të Amerikës. Unë veproj e jetoj në Shtetet e Bashkuara te Amerikës qysh nga atëherë.

Unë në universitetin “Texas Lutheran University” ndoqa studimet universitare në fushën e shkencave kompjuterike me drejtim dytësor matematikën dhe administrimin e biznesit. Këto lëmi mësimore me tërhiqnin qysh nga shkolla fillore. Studimi i këtyre lëmive në kombinim me punën dhe mundin e dhëne çdo ditë, më solli deri këtu ku jam sot, dhe besoj që po këto parime do të më drejtojnë në qëllimet e mia në vijim. Ndonëse kisha zgjedhur fushat më sfiduese, unë mora pjesë aktivisht në organizata studentore dhe diplomova me sukses shembullor dhe lëvdatat më të larta (summa cum laude).

Me t’u diplomuar, në maj 2012, kompania “Rackspace”, që ofron shërbime të hostimit në re (cloud hosting), me angazhoi si praktikante-analiste biznesi në zhvillimin e produkteve softverike. Me zyrë në qytetin e bukur të San-Antonios, në Teksas, unë punoja përkrah inxhinierëve të dalluar amerikanë, para se të finalizoja angazhimin e radhës: punësimin që mu kishte ofruar që në panverë, para mbarimit te studimeve universitare, nga firma konsulente me renome botërore “PricewaterhouseCoopers (PwC)”.

Kështu, në gusht 2012, lash San-Antonion për qytetin tjetër të madh të Teksasit. Në Dallas, punoja si konsulente e Forenzikës kompjuterike me PwC për tri vjetët e ardhshëm. E specializuar në reagimin, analizën dhe hetimin e incidenteve të sigurisë kibernetike, u shërbeja me sukses klientëve e korporatave të mirënjohura për t’u bërë ballë sulmeve të hakerëve.

Unë punoja në Teksas, që ishte ndër dhjetë ekonomitë më të mëdha në botë. Por zemra e teknologjisë ndodhej disa qindra milje drejt perëndimit, në Luginën e Silikonit apo Silicon Valley — përgjatë Gjirit të San-Franciskos së Kalifornisë — ku ndërmarrjet gjigante si Facebook, Apple e Google u themeluan dhe po arrinin për ditë maja më të larta në veprimtarinë e tyre. Të tri këto kompani më intervistuan dhe Apple e Facebook më ofruan pozita me kushte shumë atraktive. Unë zgjodha Facebook-un.

Në maj të vitit 2015, u zhvendosa nga njëri skaj i Amerikës, pra Dallas, Texas tek qoshi tjetër në Palo Alto, Kaliforni pasi gjithmonë kisha pasion të punoja për një kompani teknologjike dhe të jetoj në vendin ku industria kryesore ishte po ky sektor, dhe ku më mirë të bëja atë se në vendin ku shumica e kompanive inovative e teknologjike janë zhvilluar.

Florentina Ferati: “Realizova ëndrrën time të kamotshme për t’u avancuar në fushën e teknologjisë dhe inovacionit”

Cili është roli yt në këtë kompani, dhe ku ndodhet lokacioni në të cilin zhvilloni aktivitetin?

Që prej qershorit 2015, unë kam zyrën në rrugën “Hacker Way” në Menlo-Park të Kalifornisë, ku ndodhet selia e Facebook-ut. Unë përqendrohem në sigurinë kibernetike të kompanisë dhe ruajtjen e të dhënave, duke zbatuar njohuritë dhe përvojën time shumëvjeçare në forenzikën kompjuterike dhe sigurinë e informacioneve.

Posaçërisht, unë merrem me shqyrtimin e reagimit ndaj incidenteve të sigurisë kibernetike që ndodhin në Facebook. Pos kësaj, drejtoj e menaxhoj edhe shumë projekte të ndryshme duke filluar nga zbatimi i teknologjisë për hetim të keqpërdorimit të sistemeve e të dhënave kritike e deri tek modelimi i kërcënimeve specifike për pjesët kritike të infrastrukturës sonë.

Me mbi dy miliardë përdorues, rrjeti shoqëror ka më së shumti të dhëna për të mbrojtur nga të gjitha tek-kompanitë. Puna në ekipin e sigurisë kibernetike të Facebook-ut bart përgjegjësi të madhe, por dhe shpërblim të madh, meqë ekipi përballet me sfida të reja dhe përherë sjell risi në industrinë e teknologjisë. Çdo problem që haset ndryshon nga të tjerët, duke kërkuar metodologji të ndryshme shqyrtimi e reagimit inovativ për ta gjetur shkakun dhe zgjidhjen.

Cilat janë të mirat/prioritetet e të punuarit në Facebook?

Facebook është një kompani që të ofron shumë mundësi dhe benefite profesionale dhe personale. Disa që mund t’i cek që luajnë rol kryesor në arsyet pse unë jam në Facebook që tash e katër vite është kolektivi i mirë dhe mundësia për të pasur ndikim në sigurinë e të dhënave të përdoruesve të Facebook, dhe mundësinë që më jepet për të zotëruar projekte të ndryshme që ecin përpara zhvillimin e teknologjisë në këtë fushë.

Mënyra se si punohet në Facebook me jep motivim ngase me çdo kënd që bashkëveproj gjej energji të mirë, zotëri dhe çdo dite mësoj diçka të re duke bashkëpunuar me një ekip ekspertësh. Është një ambient ku secila dite ndryshon nga tjetra dhe Facebook-u me të vërtetë është si asnjë vend tjetër: e dua kulturën e mahnitshme dhe njerëzit, dhe ndjenjën e fuqizimit për të punuar në projekte që me tërheqin. Diçka tjetër që me duket unike dhe që më pëlqen në lidhje me ekipin e Sigurisë në Facebook është se sa shpejt ekipe te ndryshme vijnë së bashku për të punuar në probleme të rëndësishme. Me të vërtetë është shumë mbresëlënëse të punosh në një organizatë kaq inovative.

Ferati: “E dua ambientin e punës dhe gjithçka tjetër në Facebook”

Për të gjithë ata që mbase nuk e dinë. Kush është Florentina Ferati? Prej nga vjen? Ku u shkollua dhe ku u rrit?

Une linda në fshatin Pleshinë të Ferizajt, në motin e vështirë 1989. Një vit më vonë, Serbia ripushtoi Kosovën, duke larguar nga puna e duke përndjekur mijëra shqiptarë. Babai im, Avdiu, që punonte në fabrikën Eurometal, dhe nëna ime Igballja, infermiere, mbetën pa punë pasi u detyruan të lëshonin vendet e tyre të punës.

Kur isha pesë vjeçe, prindërit bashkë me mua dhe katër fëmijë të tjerë, mërguan në Munchen të Gjermanisë, më 1994. Unë nuk dija asnjë fjalë gjermanisht. Por shpejt nxora gjuhën, dhe kreva katër klasat e para të fillores me sukses të lartë. Isha e interesuar qysh herët për teknologjinë dhe ndërmarrësinë, dhe si 10-vjeçare shisja gjësende të përdorura e suvenire në treg për të fituar para xhepi për veten dhe për të blerë lodra e sisteme kompjuterike.

Mësova qysh atëherë të mos zmbrapsesha përballë sfidave. Më 2000, ca kohë pasi kishte mbaruar lufta, familja ime u kthye në fshatin Pleshinë, ku u regjistrova në klasën e pestë të shkollës “Pesë Dëshmorët e Kombit”. Ndonëse s’kisha bërë asnjë ditë mësim në gjuhën shqipe, u dallova si nxënëse e brezit tim, duke përfaqësuar shkollën në gara akademike e sportive. Me sukses të shkëlqyeshëm, u regjistrova në gjimnazin “Kuvendi i Arbërit” në Ferizaj, duke zgjedhur drejtimin matematikë-informatikë, që me flinte në zemër.

Krahas shkollës, u angazhoja në shoqërinë civile, duke ndihmuar organizatat joqeveritare që vëzhgonin punën e komunës, kërkonin shërbime më të mira për qytetarët dhe punonin për ta ndërgjegjësuar komunitetin rreth mbrojtjes së mjedisit. Si gjimnaziste, fillova dhe bashkëpunim në projekte të ndryshme me ushtaret amerikan nga kampi ushtarak “Bondsteel” në Sojevë të Ferizajt . Dhe ndërsa ndiqja kursin e avancuar të anglishtes në një shkollë gjuhësh, i ndihmoja mësuesit me nxënësit e rinj të gjuhës angleze dhe asaj gjermane.

Matura po afrohej, dhe në familje kishin zënë të shqetësoheshin që atë pak kohë të lirë që kisha po e kaloja pranë kompjuterit, thuajse ditë e natë. Por fatmirësisht prindërit dhe familja më kuptonin dhe më mbështesnin plotësisht me të gjitha mundësitë. Unë kisha aspirata të larta për të studiuar jashtë vendit dhe kisha vënë vetes atë cak, dhe hulumtoja për orë të tëra për programe akademike dhe bursa.

Ne maj 2008, si 18-vjeçare, përfundova shkollën e mesme, dhe me një anglishte të rrjedhshme dhe përkushtim të lartë ndaj punës, u paraqita në Bondsteel për një pozitë pune. Këtë radhë kisha intervistë për një vend pune me orar të plotë ku kandidatët ishin të shumtë dhe me përvojë. Por kompania “Kellogg, Brown & Root”, e njohur si KBR, me zgjodhi mua për pozitën e koordinatores në shërbim të udhëtarëve ushtarakë.

Në gusht të vitit 2008, lash punën në Bondsteel dhe mora rrugën për në Texas të Amerikës, dhe siç e ceka më larte, tash gati 11 vite jetoj e veproj në Amerikë.

Po të shohësh me vëmendje në rrjetet sociale, vërejmë se je një natyrë që i pëlqen aventurat. Mund të na flasësh pak rreth pasioneve tuaja?

Nuk mund ta mohoj se në shpirt jam eksploratore dhe i pëlqej shumë udhëtimet nëpër vende të reja e të eksploroj vende e kultura të ndryshme nëpër botë, duke përfshire këtu edhe faktin që jam entuziaste për të provuar eksperienca te reja, si fluturimin me parashute, zhytje scuba dhe udhëtimet në lundrim detar që kam provuar në vitet e fundit.

Pos shëtitjeve, pëlqej shumë vetëpëmirësimin në çdo aspekt të jetës: qoftë atë fizik përmes ushtrimeve fizike që sfidojnë gjendjen e tanishme, atë mentale me lexim ditor dhe ekspozimit të mendjes me ideja të ndryshme nga libri, konferenca ose ligjërata të ndryshme, apo takime dhe diskutime me njerëz dhe ekspertë të ndryshëm, dhe atë emocional e shpirtëror me reflektim ditor dhe përkushtim për familje dhe shoqëri – gjërat të cilat janë më të vlefshmet për mua.

Florentina Ferati: “Si e vogël shpreha interesim për kompjuterin”

Cilat janë synimet tua për të ardhmen?

Unë kam pasion teknologjinë dhe inovacionin. Njëra ndër synimet e mia për të ardhmen është të themeloj një startup/biznes në fushën e teknologjisë me qëllim që të bëjë ndryshime pozitive në rrethin ku jetoj dhe më tej. Unë veçse kam filluar të punoj në këtë drejtim dhe shpresoj të ndajë më shumë për këto iniciativa personale së shpejti. Shpresoj që në të ardhmen të sjellë edhe disa projekte, nisma e iniciativa inovative në Kosovë që të ndihmoj në avancimin e teknologjisë dhe inovacionit në shtet duke u ofruar të rinjve mundësi të shfaqin talentet e tyre në tregun ndërkombëtar, e posaçërisht në atë të “Silicon Valleyt”.

Njëra ndër pasionet e mia është të ndihmoj aq sa mundem njerëzit në ngritjen e tyre personale e profesionale, dhe specifikisht të motivojë e inspirojë sa më shumë femra që të besojnë në veten e tyre, të synojnë pavarësinë e tyre dhe të ndjekin fushat e shkencave kompjuterike, teknologjisë, sigurisë kibernetike dhe degëve të tjera shkencore që ndihmojnë avancimin e njerëzimit në çdo aspekt.

Si qëndrojnë shqiptarët me Facebook-un? Është e vërtetë që ka shumë përdorues, dhe sa dinë ta përdorin si duhet?

Shqiptarët janë shumë të shkathet në përdorim të Facebook, Instagram dhe përgjithësi rrjeteve sociale sidomos të rinjtë kosovarë. Më pëlqen çka shoh prej tyre dhe sidomos në aspektet që dinë t’i shfrytëzojnë këto platforma e mediume për influencim, ngritje të zërit dhe për zhvillimin e bizneseve të ndryshme.

Ndalemi pak te siguria kibernetike. Shohim që shumë të rinj bien pre e shantazheve dhe kërcënimeve përmes rrjetit social ku ju punoni. Na trego pak si eksperte, cila janë masat që Facebook ndërmerr në raste të tilla?

Facebook trajton çdo rast me seriozitet dhe përkushtim tejet të detajuar dhe besoj që secili rast shqyrtohet me kujdes maksimal.

Facebook trajton me seriozitet të veçantë shantazhin dhe kërcënimet e të rinjve, sidomos te miturve. Nëse dikush has në asi lloj raste, është tejet e rëndësishme që secili të raportojë këto raste tek Facebook për shqyrtim me qëllim që t’i ndalojmë këto eksperienca jo të mira për këto shtresa të cenueshme.

Në përgjithësi disa këshilla për të siguruar veten ‘online’ janë të përdoreni fjalëkalime të ndryshme për llogari të ndryshme; përdorni dy faktorë të autentikimit; mos iu besoni email-ave apo mesazheve prej njerëzve apo adresave që nuk i njihni, dhe nëse diçka tingëllon apo duket shumë e mirë për të qenë e vërtetë, mos i besoni dhe mos bini preh e shantazhimeve që ndodhin ‘online’.

Facebook ofron shume ndihmë rreth sigurisë kibernetike, i inkurajoj të gjithë përdoruesit të shqyrtojnë këtë postim për më shumë informata shtesë.

Njerëzit që raportojnë lëshime (vulnerabilities) në sigurinë e Facebook-ut shpërblehen. A ka pasur shqiptarë që janë shpërblyer nga Facebook për gjetje të tilla?

Deri tani nuk kam dëgjuar për shqiptarë që janë shpërblyer, por nuk dyshoj që mund të ketë ndodh e mos të kem dëgjuar për këtë. Unë e di që në Kosovë ka shumë njerëz të zotë dhe të shkathtë në lëminë e sigurisë kibernetike, dhe i inkurajoj të gjithë ata që kane gjetur lëshime, t’i raportojnë ato përmes programit “Whitehat”. Kam pasur raste kur njerëzit nga Kosova më kanë kontaktuar për diçka që kanë hetuar, qoftë lëshim apo diçka tjetër, dhe gjithëherë i kam inkurajuar të raportojnë në “Whitehat” program me detaje për shqyrtim që të kenë rast edhe të shpërblehen për këto zbulime.

A jeni takuar ndonjëherë me Mark Zuckerberg?

E kam pare dhe takuar gjatë mbledhjeve javore që i mbanë me të gjithë punëtorët e kompanisë. Këto takime janë të llojit “Pyetje dhe Përgjigje” (Q&A), ku çdo punëtor mund t’i bëjë pyetje Mark-ut, dhe ai gjithnjë sjell përgjigje kompetente. Është kënaqësi të punosh për dikë kaq të zotë dhe inteligjent. Është interesant si është në gjendje të zbërthejë shumë detaje për tema të llojllojshme dhe është një inspirim për mua dhe thuajse gjithë kolektivin e Facebook-ut.

Florentina Ferati: “Kam pasur fatin ta shohë nga afër krijuesin e Facebook, Mark Zuckerberg (Foto: Florentina Ferati/Getty Images/Guliver)

Cilat kanë qenë pyetjet më interesante gjatë intervistimit nga Facebook, në momentin që ata shprehën interesim për ty?

Ka pasur shumë pyetje, por njëra që në atë kohë më erdhi më me çudi ishte në lidhje me keqpërdorimin e Facebook-ut për t’u bërë dëm njerëzve dhe fëmijëve. Ishte një pyetje e thellë dhe diçka që nuk kisha kaluar shumë kohë të mendoja për më parë, mirëpo ishte një moment sy hapësh për mua pasi që në atë moment kuptova se sa vektorë të ndryshëm ekzistojnë për abuzimin e keqpërdorim e Facebook-ut dhe se siguria kibernetike në Facebook ka sfida komplekse dhe të ndërlikuara.

Është një rrjet që arrin me shumë përdorues se çdo platformë tjetër në botë, dhe çdo ditë e më shumë po mësohet si mund të përdoret për të mirë, por edhe për të keq. Mundësia për më i gjetë e parandalu të këqijat është një nxitje dhe sfidë që më jep kurajë për të hulumtuar zgjidhje inovative që mund të përdoren si shembull në industri.

A të ka ndodhur të të pyesin për prejardhjen tënde? Cili ka qenë ‘feedback’-u që e ke marrë në momentin kur ke treguar se vjen nga një shtet i vogël si Kosova?

Në Amerikë e sidomos në luginën e San Franciscos dhe në Palo Alto, qytetin ku jetoj, ka shumë njerëz prej vendeve të ndryshme dhe me prejardhje të llojllojshme, ku thuajse çdo kënd që takon ka një theks gjuhësor që të nxit t’i pyesësh prej nga vijnë. Edhe unë shpesh herë marrë këtë dhe kur ju them “nga Kosova”, ju vjen shumë interesant dhe ka prej atyre që e dinë ku është ngase kanë dëgjuar në televizion e lajme për të, por ka edhe prej tyre që nuk dinë ku është dhe gjithnjë interesohen dhe pyesin se ku është ky vend.

‘Feedback’-u që kam marrë ka qenë pozitive, disa e dinin që kemi pasur luftë, shumë e njihnin nga lajmet dhe kontributin e atëhershëm të Amerikës dhe Bill Clinton-it në Kosovë në atë kohë, e ka edhe të tjerë që nganjëherë hasi në takime të rëndomta gjatë rrugëtimit jetësor që mendojnë se Kosova është në Rusi! Paj tash, jo çdokush mund të njohë shtetin më të bukur në Evropë! Pak shaka, por me të vërtetë çdo kush që pyet për Kosovën, është e interesuar të dijë më shumë për vendin, si është jeta atje, e kështu me radhë, dhe kam shumë shoqëri që kanë dëshirë të vizitojnë Kosovën.

Këshilla jote si eksperte e rrjeteve sociale? Çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet të shfaqim në internet?

Pikë së pari është mirë të kemi vetëdijësim për gjëra elementare të sigurisë siç e ceka më lartë rreth përdorimit të fjalëkalimeve të ndryshme për faqe e llogari të ndryshme, si për shembull, për llogarinë e Facebook-ut të keni një fjalëkalim tjetër e për llogarinë bankare tjetër. Përveç kësaj, mos të jenë këto fjalëkalime të llojit ‘abcdefg’ ose ‘1234567’, por të jenë më komplekse dhe të përdoren dy faktorë të autentikimit për llogaritë e rëndësishme.

Veç kësaj, mendoj se është mirë të marrim për bazë principin që nëse nuk dëshirojmë që diçka të shihet publikisht në internet, t’i përdorim vendosjet e privatësisë që janë në dispozicion nëpër rrjete sociale. Dhe nëse shfaq diçka në internet, të bëjmë atë me mendimin që ekziston një shans sado e vogël që kjo mund të bëhet publike. Në këtë rast asesi nuk po flas për Facebook, por për çdo lloj aplikacioni e platformë që përdorim në internet. Fatkeqësisht, siguria kibernetike është një gjë që siguron një kompani, platformë e aplikacion deri në një masë.

Gjithmonë duhet menduar faktin që në ditët e sotme, çdo organizatë ballafaqohet me pyetjen “KUR është hackeru” dhe jo “A është hackeru”. Realiteti është i tillë që thuajse gati çdo zhvillim teknologjik e inovativ sjell edhe problemet dhe sfidat e sigurisë me të, dhe besoj që çdo organizatë mundohet të bëjë më të mirën e mundimshme me burimet e saja që të sigurojë të dhënat e konsumatorëve dhe sistemet e tyre aq sa munden. Mirëpo, edhe hakerët punojnë vazhdimisht, ditë e natë, për të gjetur lëshime në kompani e organizata.

Është mirë të mendojmë dhe te marrim çdo masë të mundshme në dispoziconin tonë për të qenë të sigurt në internet në mënyrë që të reduktojmë rreziqet e komprometimit të të dhënave personale që i shfaqim në internet.

Tina Ferati: “Kujdesuni për sigurinë tuaj kibernetike”

Tina, faleminderit që ishe me neve në këtë intervistë. Për fund, cili do të ishte mesazhi yt për të gjithë të rinjtë që synojnë në të ardhmen që të arrijnë suksese në këtë fushë?

Interesimi i denjë dhe studimi i vazhdueshëm si dhe përcjellja e risive në këtë fushë përmes mediumeve të ndryshme janë disa nga parimet kryesore për të arriturit ekspertizë në këtë lami e çdo lëmi tjetër. Veç kësaj, ka edhe shumë burime që të rinjtë mund t’i hulumtojnë e gjejnë ‘online’ dhe t’i përdorin për të zhvilluar këtë aftësi.

Unë ju bëj apel të gjithë të rinjve që të fokusohen së pari në ngritjen e tyre personale, arritjen e diturisë, dhe të fokusohen sa më shumë në punën konsekuente dhe këmbëngulëse ngase kurrë nuk dihet se kur mundësia mundet të troket në derën tuaj! E çka ka më keq se të vijë një mundësi për të cilën nuk je e/i përgatitur? Siç thotë njëra prej thënieve të mia më të preferuara nga shkencëtari francez Louis Pasteur “Chance favors the prepared mind,” që në shqip nënkupton “Mundësia favorizon mendjen e përgatitur.”

Prandaj, fokusohu, puno dhe përqendrohu me dinjitet e këmbëngulje në ngritjen dhe zhvillimin intelektual e atë profesional, dhe mendoj që mund të arrihet thuajse çdo gjë. Pasi jam edhe e pasionuar në zhvillim personal, besoj që edhe mendimi pozitiv – një gjë që ne shqiptarët e kemi – është me rëndësi me bartë më vete ku do që të shkosh. Meqë se të troket në derë mundësia e nuk je i/e përgatitur, kur ti i buzëqesh dhe e pret mundësinë me pozitivitet, mund të ndodh që edhe ajo të buzëqeshë me ty.

Faleminderit shumë prej jush për këtë intervistë! Ishte më të vërtetë kënaqësi të isha pjesë e kësaj interviste me ju dhe të diskutojmë këto çështje shumë me rëndësi në ditët e sotme. /Telegrafi/