Rrëmujë në tregun e Tetovës, qytetarët të frikësuar nga personat që nuk respektojnë masat

Advertisment

Përderisa numri i personave të infektuar është duke u rritur në mënyrë drastike, tregjet në Tetovë vazhdojnë të jenë të stërmbushura.

Mund të shihen shumë qytetarë që nuk ruajnë distancën, disa mbajnë maskë sa për sy e faqe, e disa nuk mbajnë fare maska.

Reklame

Të anketuar gjatë ditës së sotme, disa shitës dhe qytetarë thonë se janë të detyruar që të dalin në treg, por siç thonë, i tremb mosrespektimi i masave mbrojtëse nga të pandërgjegjshmit.

“Se e mban maskën ti edhe unë, a në banka ç’bëhet, se e mban ti edhe unë, do e mbajë nuk ka asgjë kjo, në dyqane një mbi një janë gratë dhe fëmijët, atje është rrezik”.

Ju a ndjeheni të rrezikuar?

“Unë nuk ndjehem sepse çdo mëngjes ha vezë dhe mjaltë dhe kam 72 vjet, por ka persona që ndjehen të rrezikuar”.

“Unë e mbaj nga frika, dikush nuk mban ama është më mirë të mbash maskë, është rrezik, ku e di unë se çfarë sëmundje ka, kjo nuk është luftë, ma keq se lufta është, lufta ka pushkë ky virusi Corona më keq se lufta është.”

“Unë ndjehem i rrezikuar, çdo kush duhet të mbajë maskë, ligji duhet të respektohet, por mundësia është problem, 50 den maskën më të lirë në barnatore e ke .”

Ju pse s’mbani maska, s’keni ta blini?

“Po po”.

Para bankave ka plot qytetarët në radhë. Nuk duan që të prononcohen pasi thonë se janë lodhur duke shprehur revoltën e tyre. Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë, deri më tani kanë shqiptuar rreth 13,000 sanksione për personat që nuk kanë respektuar mbajtjen e maskave, ndërsa qyteti i Tetovës, siç thonë nga Qendra për Shëndet Publik,
vazhdon të ngelet si një ndër qytetet me numër të të infektuarve në rritje, ku vetëm gjatë ditës së djeshme janë raportuar 64 persona të infektuar ndërsa brenda një jave mbi 205 persona.