Rrëshqitjet e dheut trembin banorët e Xhermës, Qytetarët: Fshati boshatiset nga dita në ditë (VIDEO)

Fshati Xhermë i Malësisë së Tetovës për çdo vit është duke u përballur me rrëshqitje të dheut që rrezikon edhe banorët e këtij fshati.

Ditë më parë Komuna e Tetovës bashkë më pyjet e Maqedonisë premtuan mbjelljen e 30 mijë fidanëve të bagremit me qëllim që të shmangin rrëshqitjen e dheut.

Reklame

“Nga pamjet që mund të shihen prapa meje mund të shihet se as mbjellja e bagremit nuk mund të zgjidhë këtë problem të këtyre banorëve”, potencon Senat Zylbehari, gazetar i TV21.

Shtëpi të plasaritura dhe mure të rrënuara mund të shohësh në këtë fshat që ka detyruar shumicën e banorëve që të lënë shtëpitë dhe të vendosen në qytet apo edhe në fshatra të tjerë. Banorët thonë se në Xhermë tani për tani kanë ngelur vetëm 80 shtëpi ndërsa mbi 700 shtëpi të tjera janë boshatisur.

Duke folur për rrëshqitjen e dheut, kryetari i bashkësisë lokale të fshatit, Ruhan Adili, thotë se ka filluar nga viti 1968 por në 30 vitet e fundit intensiteti i rrëshqitjes në këtë vendbanim është shtuar. Ai u bën thirrje partive politike që të mos japin premtime boshe pasi që janë lodhur nga të njëjtat ndërsa fshati për çdo ditë është duke u boshatisur edhe më shumë.

“Sa për reklama çdo vit vijnë reklamohen japin premtime realizime nuk ka. Ka zgjidhje nëse ka vullnet kombëtarë shpirtërorë zgjidhja e fundit është vetëm murrë mbrojtëse , apelojmë që të mos bëjnë reklama se mbjellja e bagremëve nuk janë lule në shesh dhe të mashtrojnë fshatarët , jemi mashtruar se ne këtu jetojmë këtu ndërsa ajo është e kotë”, theksoi Ruhan Adili, kryetar i Bashkisë lokale në fshatin Xhermë.

Lumi që kalon përreth këtij fshati është një ndër lumenjtë më të shpejtë në Ballkan që për çdo vit shkakton dëme jo vetëm në këtë fshat por edhe në fshatin Poroj dhe shkatërron të mbjellat e fshatit Trebosh. Nga komuna e Tetovës thonë se UNDP ja ka përfunduar fizibiletin e ndërtimit të digave, por mjetet financiare do të duhet të sigurohen me ndihmën e qeverisë, por deri sa të ndodhë kjo, banorët druajnë se fshati do të shuhet në tërësi.