Rreth 40 spitale janë djegur nga fillimi i pandemisë, në Irak vdiqën 82 persona

Që nga fillimi i pandemisë në Mars të vitit 2020, deri në qershor të këtij viti ka pasur rreth 40 incidente të zjarreve në Covid-qendra, në vende të ndryshme të botës, të cilat kanë shkaktuar vdekjen e mbi 200 personave. Shumica ishin pacientë me koronavirus me pasqyrë të rëndë klinikë.

Incidente si ai i 8 shtatorit në Tetovë kanë ndodhur në Rumani, Ukrainë, Egjipt, Turqi, Indi e Rusi. Në disa raste shkaku ka qenë një defekt elektrik dhe me ndihmën e oksigjenit të pastër është shkaktuar shpërthim dhe zjarr.

Tragjedia më e madhe ndodhi më 24 prill të këtij viti kur në një spital në Bagdad, shpërtheu një zjarr që la të vdekur të paktën 82 persona dhe plagosi më shumë se 100 të tjerë. Rasti hetohet ende, mediat lokale raportojnë se zjarri u shkaktua nga shpërthimi i rezervuarit të oksigjenit, e pas kësaj tragjedie Ministrin i Shëndetësisë i Irakut dha dorëheqje.

Hulumtimi i JRC (Joint Research Centre, Komisioni Evropian i Përbashkët Qendra Kërkimore) i realizuar në Turqi më 19 dhjetor 2020, pas shpërthimit të një zjarri në spitalin e Gaziantepit, i cili vrau 11 persona, numëroi mbi 20 incidente të zjarreve të shkaktuara në hapësira të pasura me oksigjen nëpër covid-qendra.

Hulumtimi tregon se këto incidente janë rezultat i drejtpërdrejtë i rritjes së shpejtë të përdorimit të ventilatorit me oksigjen në spitale për shkak të përhapjes së virusit korona. Prania e përqendruar e oksigjenit në një zonë të mbyllur, siç është dhoma e spitalit, mund të krijojë një mjedis të pasuruar me oksigjen. Oksigjeni nuk është toksik por ndihmon zjarrin. Normalisht përbën rreth 21% të atmosferës sipas vëllimit. Sidoqoftë, kur përqendrimi i tij tejkalon 23 %, mund të krijojë një rrezik zjarri. Oksigjeni i pastër reagon me materiale të zakonshme të tilla si vaji dhe yndyrat për të shkaktuar zjarre, madje edhe shpërthime, kur lëshohen në presione të larta.

Faktorë të tjerë kontribuojnë në përhapjen e shpejtë të zjarrit, janë çatia e ulët e objekteve, materiali ndërtimor që leht ndizet, por edhe numri i lartë i pacientëve me mbështetje oksigjeni në dhoma të vogla.