Rreth 400 shqiptarë po kërkojnë të kthehen nga Zvicra, fluturimet duhet ti paguajnë vetë

Kastrati: Rreth 400 kosovarë po kërkojnë të kthehen nga Zvicra, fluturimet duhet t’i paguajnë vetë. Udhëheqësi i Misionit Konsullor të Kosovës në Cyrih, Sami Kastrati, ka thënë se janë qindra shtetas të Kosovës në Zvicër që po kërkojnë të kthehen në atdhe – teksa vendi po përpiqet të frenojë përhapjen e koronavirusit.

“Rreth 400 persona po bëjnë kërkesë të kthehen në Kosovë”, ka treguar ai nëpërmjet videolidhjes, në emisionin “Pressing”, në televizionin T7.

Ai u ka kujtuar të gjithë bashkatdhetarëve në Zvicër që “në momentin e kthimit duhet të qëndrojnë 14 ditë në karantinë”.

Kastrati po ashtu i ka paralajmëruar kosovarët në Zvicër që duan të kthehen në atdhe se shteti i Kosovës nuk do t’jua paguajë fluturimet. “Kostot e udhëtimit duhet të barten nga vetë udhëtarët”, ka deklaruar ai.