Rritja e rasteve, Koreja e Jugut paralajmëron karantinë totale

Pasi raportoi rritje të rasteve të reja me infeksion, Koreja e Jugut do të rikthejë masat shtrënguese.

Muzeumet, parqet dhe galeritë e arteve në Seul do të mbyllin dyert nga e premtja, ndërsa kompanive do t’u kërkohet që të kufizojnë oraret për punonjësit.

Reklame

Ministri i Shëndetësisë, Park Neung-hoo, sqaroi se vendimi vjen pasi u raportuan 79 raste të reja, numri më i lartë që nga 5 prilli.

“Kemi vendosur për të shtrënguar masat e karantinës në Seul për dy javët e ardhshme. Ftojmë qytetarët që të shmangin grumbullimet dhe të mos shkojnë në bare apo restorante”, tha ministri.

Ministri shtoi se nëse në 7 ditët në vijim do të regjistrohen më shumë se 50 raste në ditë, atëherë Koreja e Jugut do t’i rikthehet plotësisht karantinës.

Frika për një valë të dytë të Covid-19 në Kore do të rrisë shqetësimin edhe për shumë vende evropiane, të cilët kanë marrë të njëjtat masa për ta parandaluar këtë valë./Opinion.al